Telegrafi

Presidenti i Qipros: Pavarësia e Kosovës, ‘e paligjshme’

Presidenti i Qipros, Nikos Anastasijadis, deklaroi sot se derisa të mbetet në fuqi Rezoluta 1244, për vendin e tij pavarësia e Kosovës do të jetë ‘e paligjshme’.

Ai gjatë një takimi në Beograd me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq tha se vendi i tij nuk do ta njohë Kosovën.

“Ju keni mbështetjen tonë të fuqishme për integritetin territorial të Serbisë. Qipro nuk e njeh pavarësinë e shpallur njëanshëm nga Kosova derisa Rezoluta 1244 është në fuqi”, tha presidenti i Qipros, njëra nga pesë vendet e BE-së që vazhdon të mos njohë realitetin e ri të krijuar në Kosovë, e cila është njohur nga më shumë se 110 vende të botës.

Ai ka shtuar se derisa rezoluta e KS e OKB-së të jetë në fuqi “pavarësia e Kosovës do të jetë e paligjshme”, transmeton KosovaPress.

Ndërsa, presidenti Vuçiq deklaroi se me Serbinë askush nuk mund të bisedojë me gjuhën e ultimatumeve dhe kërcënimeve.