Telegrafi

Miliona amerikanë nën alarmin e stuhisë pas tornadove vdekjeprurëse

Më shumë se 120 milionë amerikanë u zgjuan nga paralajmërimet e motit të rëndë të hënën, pasi stuhitë e mëdha ua morën jetën të paktën 22 njerëzve dhe lanë një shteg shkatërrimi në të gjithë pjesën qendrore të SHBA-së.

Tornadot dhe stuhitë shkatërruese lanë pa energji rreth 600,000 banorë në 13 shtete, shkatërruan shtëpi dhe lënduan qindra, transmeton Telegrafi.

Parashikuesit thanë se rreziku më i madh i motit tani do të zhvendoset në lindje, duke mbuluar një shtrirje të gjerë të vendit, nga Alabama në Nju Jork.

Priten të tjera stuhi, erëra të dëmshme, breshër dhe përmbytje të shpejta.

Reshje të dendura shiu pritet të godasin pjesë të bregdetit lindor, me stuhi të tjera në verilindje dhe në mes të Atlantikut. Uashingtoni, Virxhinia, Mariland dhe Pensilvania janë të rrezikuar nga tornadot.

Vapa e të nxehtit do të vazhdojë edhe në pjesë të jugut të SHBA.

E diela ishte dita më e ngarkuar e motit të ashpër në SHBA deri më tani këtë vit, me më shumë se 600 raporte për dëme nga stuhia në 20 shtete.

Tornadot dhe erëra të forta i shndërruan ndërtesat në grumbuj rrënojash, përmbysën veturat dhe rrëzuan shtyllat e energjisë elektrike.

Rrufeja, bubullima dhe shiu i dendur ndërkohë detyruan evakuimin e rreth 125,000 shikuesve, pasi gara e së dielës Indianapolis 500 u vonua me katër orë. /Telegrafi/