Site icon Telegrafi

QIKA kritikon pjesëmarrjen e Haxhiut në protestën e grave: Ministrja nuk ka vend aty

Organizata jo-qeveritare Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA), ka kritikuar pjesëmarrjen e ministres Haxhiu në protestën e  organizuar kundër dhunës ndaj grave.

“Pjesëmarrja e ministrave dhe qeveritarëve të tjerë në protestën e sotme është e pakuptimtë dhe e pavend, ashtu siç janë edhe deklaratat e tyre shfajësuese (përligjëse) për rastin e vrasjes së Marigona Osmanit”, thuhet në reagimin e QIKA.

Organizata ka kërkuar nga ministrja Haxhiu,  që ajo të ndërtojë strategjinë për mbrojtje nga dhuna në familje e jo të shkojë fizikisht në protesta të grave, përcjell Telegrafi.

“Strategjia kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje 2016-2020, ka skaduar në dhjetor të vitit 2020, e cila edhe ashtu është zbatuar vetëm pjesërisht. Ministria e Drejtësisë është përgjegjëse për draftimin dhe zbatimin e kësaj strategjie”.

Më tej kjo organizatë thotë se protestat e grave po kërkojnë përgjegjësi institucionale për dhunën e vrasjet që po ndodhin.

“Rehatia e qeveritarëve për të protestuar kundër institucioneve që vet i drejtojnë, nuk guxon të lejohet. Kërkesat e parashtruara sot në protestë nuk kanë nevojë për mbështetje por realizim. Kjo është detyra juaj”.

Me konsensus nuk arrihet drejtësia, as barazia, thuhet tutje në reagimin e lëshuar nga QIKA./Telegrafi/

Exit mobile version