Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë i ka rekomanduar Qeverisë së Kosovës që në një afat sa më të afërt kohor të emërojë drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, institucion ky që është pa shef që prej dhjetorit të vitit të kaluar.
Kryetarja e Komisionit, Ganimete Musliu tha se lënia e lirë e pozitës së drejtorit të AKI-së për kaq muaj është rrezikim i sigurisë kombëtare
“Sa me shpejtë, mos të themi urgjentisht sepse nuk jemi të vendosim ultimatume, të përzgjedh drejtorin e ri të AKI-së. Në ligj është e rregulluar që nuk guxon të jetë në afat më të gjatë se 20 ditë pa drejtor”, tha Musliu, raporton KP.
Kjo kërkesë vjen në mbledhjen e parë, konstituive të Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së. /Telegrafi/