Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në kuadër të sanksionet e shënjestruara kundër shkelësve të huaj të të drejtave të njeriut, Qeveria e Kosovës, ka vendosur sanksione ndaj 13 personave të lidhur me Hezbollahun dhe të afërt më ISIL/Da’esh dhe Al Qadeda.
Kurti, duke sqaruar vendimin e Qeverise, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “çdo shtetas i huaj që ka shkelur rëndë të drejtat e njeriut ose ka kryer ndonjë vepër korruptive, me votën e djeshme në Qeveri, nuk do të mund të udhëtojë më në Kosovë dhe do të ju ngrihen të gjitha asetet e tyre që ju gjinden këtu”.
“Me qëllim për të ndaluar financimin e akteve terroriste, vendosëm sanksione ndaj 7 shtetasve libanez të lidhur me Hezbollahun dhe ndaj 6 personave të afërt me ISIL/Da’esh dhe Al Qaeda”, ka thënë Kurti.
Në vendimin e miratuar në mbledhjen e Qeverisë të premten, thuhet se vendimi për zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare ndaj shtatë (7) shtetasve libanezë, të lidhur me Hezbollah dhe kompaninë e saj financiare Al-Qard al-Hassan (AQAH), është bazuar në vendimin e Qeverisë të datës 23.06.2020 për shpalljen e krahut politik dhe ushtarak të Hezbollah-ut si Organizatë terroriste si dhe mbështetësve të tyre./Telegrafi/