Qeveria e Kosovës do të procedojë javën e ardhshme për ratifikim në Kuvend Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Marrëveshja më e përfolur dhe më e kundërshtuar deri më tani në Kosovë, pritet t’i nënshtrohet procedurës së ratifikimit nga deputetët, me gjithë kundërshtimet e opozitës dhe një numri të deputetëve nga partitë në pushtet.
Procedimin e kësaj marrëveshjeje në Kuvend, e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Faton Abdullahu.
Ai ka thënë se kryeministri dhe Qeveria e Kosovës i kanë kryer të gjitha obligimet, si në aspektin procedural ashtu edhe atë profesional, që çështja e Demarkacionit të procedohet në Kuvend.
“Konsiderojmë se marrë parasysh të gjitha rrethanat, si qeveri, është në vullnetin e palëve në koalicion dhe ky vullnet me jep të drejtën të konstatojë që së shpejti, pra jo brenda javëve, por brenda ditëve, përkatësisht javën tjetër, të procedohet çështja e Demarkacionit në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Abdullahu.
Për shkak të tensioneve dhe mungesës së votave në Kuvend për ratifikimin e Demarkacionit, kryeministri Isa Mustafa qëndroi këto ditë në Bruksel, ku ndër tjera, kërkoi nga Bashkimi Evropian pezullimin e ratifikimit të demarkacionit për dy vitet e ardhshme.
Me këtë pezullim, ai kërkoi që për dy vitet në vijim, Kosovës t’i hiqen vizat, me kusht që demarkacioni të ratifikohej pas kalimit të kësaj periudhe kohore.
Megjithatë, Brukseli ka insistuar që marrëveshja të vihet sa më parë në Kuvend për ratifikim.
Po ashtu, edhe Partia Demokratike e Kosovës si partia më e madhe dhe pjesë e koalicionit qeverisës, i ka kërkuar kryeministrit Mustafa që marrëveshja të procedohet në Kuvend dhe në varësi të ratifikimit apo dështimit, pastaj të shihet nëse vendi do të shkojë në zgjedhje.
Ndërkaq nga opozita, është bërë e qartë se Demarkacioni aktual do të kundërshtohet. Sipas partive opozitare, për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, procesi duhet të kthehet në pikën zero, pasi që marrëveshja aktuale, siç pretendon opozita, i sjell humbje territoriale Kosovës në një hapësirë prej 8 mijë hektarësh.
Qëndrimin kundër marrëveshjes aktuale për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, ka shprehur edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj që në paraqitjen e tij të para qytetarëve, pas kthimit nga Franca, ku ishte mbajtur nën masën e ndalimit për afër katër muaj.
“Ne me të drejtë po iu themi, më nuk ju japim, nuk merrni më prej shqiptarëve. Kur them kufiri është në Çakorr, është në Kullë, a e dini se sa pak jam kah kërkoj?-A e dini se sa tokë shqiptare këto 100 vjet na i ka marrë Mali i Zi? – Kosova nuk ka më tokë për t’i falë askujt”, ka thënë Haradinaj.
Prishtina dhe Podgorica nënshkruan Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit në gusht të vitit 2015, në praninë ndërkombëtare. Kjo marrëveshje më pas u shndërrua në një kusht nga BE-ja për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Ratifikimi i marrëveshjes, ishte tërhequr nga votimi në Kuvendin e Kosovës më 1 shtator të vitit të kaluar, pas tensionimit të gjendjes së sigurisë dhe mungesës së votave për ratifikim.
Tani pritet që për herë të dytë, koalicioni qeverisës të provojë ratifikimin e kësaj marrëveshje, për të cilën nevojiten 80 vota të deputetëve.
Procedimin sa më të shpejtë të demarkacionit në Kuvend e ka kërkuar së fundit edhe zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, , Hoyt Yee. /rel/