Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj me bashkëpunëtorë, ka qëndruar sot në Mitrovicë, me ç’rast së bashku me kryetarin e kësaj komune Agim Bahtiri, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për projektet që kjo Ministri ka paraparë të realizojë në këtë komunë gjatë vitit 2018.
Ministri Lekaj, u shpreh i lumtur që do të mbështesë qytetin e Mitrovicës dhe qytetarët e saj me projekte të ndryshme infrastrukturore.
Sipas tij, qeveria e Kosovës, kryeministri Haradinaj, si dhe Ministria e Infrastrukturës, do të vazhdojnë ta mbështesin fuqishëm komunën e Mitrovicës.
“Ndjehem shumë mirë që na u ka dhënë rasti të mbështesim Mitrovicën dhe kryetarin Bahtiri, me disa projekte që kanë impakt pozitiv si në lëvizjen e lirë, ashtu edhe në sanimin e gjendjes, por edhe lidhjen e qytetit me zonat rurale. Mitrovica këtë vit do të përfitojë tunelin në hyrje të qytetit. Ministria e Infrastrukturës ka marr përsipër, jemi në procedura që do të sanohet dhe do të jetë me standarde evropiane. Po ashtu është autostrada në drejtim të Mitrovicës e cila ka ngecur shumë dhe jemi zotuar që ky projekt aq i pritur nga qytetarët të fillojë, e që ka impakt edhe në zhvillimin ekonomik. Qeveria e Kosovës, Haradinaj dhe Ministria e Infrastrukturës do të jemi mbështetës të fuqishëm të Mitrovicës”, ka thënë Lekaj.
Në anën tjetër, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka bërë të ditur se çdo lëvizje në projektet infrastrukturore është lehtësim për qytetarët e Mitrovicës.
“Çdo lëvizje në drejtim të infrastrukturës është lehtësim për qytetarë dhe këtë lehtësim na ka mundësuar ministri, të cilin e falënderoj shumë. Shpresojmë se këto projekte nuk do të jenë të vetmet, por do të ketë projekte tjera të përbashkëta për shkak se kemi një synim, që ta bëjmë Kosovën shtet evropian, me infrastrukturë dhe me zhvillim ekonomik”, tha Bahtiri. /Telegrafi/