Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, në emër të Qeverisë ka tërhequr nga Kuvendi Platformën për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, për t’i dhënë kohë konsensusit të partive politike rreth kësaj teme.
Reçica në Kuvendin e Kosovës kërkoi mirëkuptimin e deputetëve në mënyrë që të ketë konsensus më të gjerë dhe vazhdim të konsultimeve të mëtutjeshme.
“Në emër të kryeministri Ramush Haradinaj me mirëkuptim kërkoj të hiqet Platforma për finalizimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve e proceduar në Kuvend më 23 prill 2018 në mënyrë që t’i japim kohë ndërtimit të një konsensusi më të gjerë nacional dhe vazhdimit të konsultimeve të mëtutjeshme”, tha Reçica.
Ndërsa, nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti, theksoi se kjo është e drejt e propozuesit, ani pse kanë pritur të ketë debat sot.
“Është çështje e qeverisë ne kemi prit me pas debat, sidoqoftë qeveria ka vendos dhe është e drejtë që propozuesi e kërkon mund ta tërheq kurdo”, theksoi Haliti.
Foto: Arkiv