Site icon Telegrafi

Qeveria: Sulmi ndaj Kuvendit, qyqar dhe kundër shtetit

Qeveria e Republikës së Kosovës dënoi ashpër sulmin e mbrëmshëm të kryer mbi objektin e Kuvendit të Kosovës, institucionit më të lartë përfaqësues dhe ligjvënës në vend.

Qeveria e Kosovës konsideroi se ky është një sulm qyqar i drejtuar kundër të gjitha institucioneve dhe shtetit të Kosovës.

“Pa dashur të paragjykoj nëse është në linjën e akteve të dhunshme të paralajmëruara, Qeveria e Kosovës konsideron se akte të tilla nuk do të arrijnë të ndalin përkushtimin dhe punën e institucioneve të Kosovës për realizimin dhe mbrojtjen e interesave të vendit. Sulmet mbi institucione publike, mbi drejtuesit e tyre dhe policinë, si dhe mbi objektet private, janë veprime të ulëta dhe antidemokratike, të cilat në asnjë rrethanë nuk mund të frikësojnë bartësit e institucioneve të Kosovës për kryerjen e obligimeve të tyre për realizimin e vullnetit të qytetarëve për lëvizje të lirë në BE, për zhvillim ekonomik dhe fuqizim të gjithanshëm të shtetit”, thuhet në reagimin e Qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës ftoi organet e rendit që të ndërmarrin të gjitha masat për zbardhjen e kryesve të këtij akti të rëndë kriminal dhe të vënë para drejtësisë kryesit dhe orkestruesit e tij. /Telegrafi/

Exit mobile version