Javier Tebas u ka bërë me dije klubeve nga La Liga se do të luajnë pa tifozë deri në vitin 2021.
Kreu i ligës spanjolle në një video-konferencë të mërkurën e kësaj jave ka paralajmëruar klubet që të kenë kujdes me buxhetin e tyre shkaku i krizës së shkaktuar nga coronavirusi.
Sipas Diario Sport, qeveria e Spanjës e ka marrë këtë vendim në mënyrë që të mos lejohet edhe më shumë përhapja e pandemisë botërore.
Humbja e financave do të ketë një ndikim negativ te klubet nga La Liga, derisa raportohet se deri më tani janë rreth 120 milionë euro humbje.
Nëse vazhdon situata, parashihet që klubet nga La Liga në total të humbin rreth 900 milionë euro.
Ky sezon i La Liga-së do të përfundojë dhe lojtarë do të testohen nga java e ardhshme rreth coronavirusit.
Spanja deri më tani ka 219 mijë raste të konfirmuara me coronavirus, ndërsa 22,524 kanë ndërruar jetë. /Telegrafi/