Site icon Telegrafi

​Qeveria s’ka dilema për përfitimin e milionave nga Plani i Rritjes, BE thotë se varet nga progresi në dialog

Qeveria e Kosovës nuk parasheh pengesa në përfitimin e pagesës së parë nga Bashkimi Evropian në kuadër të Planit të Rritjes. Në ekzekutiv thonë se presin që 32 milionë euro të disbursohen nga BE-ja në dhjetor të këtij viti, derisa nënvizojnë se këto mjete nuk duhet të kushtëzohen me dialogun Kosovë-Serbi. Një gjë të tillë e shohin të gabuar edhe nga partia më e madhe opozitare PDK.

Megjithatë, në Bashkimin Evropian ritheksojnë për KosovaPress, se për Kosovën dhe Serbinë përfitimi i milionave të BE-së, është i ndërlidhur me angazhimin konstruktiv në dialog, për të cilën do të kërkojnë një opinion edhe nga ana e përfaqësuesit të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.

Mirëpo, të njëjtit nuk u përgjigjen në pyetjen nëse takimi i javës së ardhshme në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel, do të jetë vendimtar për arritjen e progresit në dialog, rrjedhimisht edhe dhënien e dritës së gjelbër për ndarjen mjeteve për Kosovën dhe Serbinë.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, thotë për KosovaPress, se s’ka dilema që disbursimi i mjeteve do të ndodh duke mos pritur që ndarja e tyre të kushtëzohet me dialogun me Serbinë.

“Fqinjësia e mirë është kriter për secilin vend që synon integrimin në BE. Kosova aty ka treguar konstruktivtet në secilën platformë. Qoftë në dialogun me Serbinë, apo organizatat rajonale dhe në marrëdhëniet bilaterale me vendet e rajonit…14:14 Nuk pres që do të pritet diçka e tillë. Vendimi është që nuk ka ndonjë dilemë se këto mjete, ky 7 për qind, këto 32 milionë që do të disbursohen në dhjetor është në dilemë të ndonjë hapi tjetër që ka mbetur për t’u bërë. Ajo çka është dashur të bëjë Kosova në kuptimin e hapave që parashihen është bërë tashmë. Disbursimi besoj se do të ndodh dhe s’ka dilemë për këtë” , tha ai.

Ish-ministri i Jashtëm, deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj ndërkaq e cilëson si të gabuar kushtëzimin e mundshëm të ndarjes së mjeteve nga plani i rritjes me progresin në dialog.

“Nuk e di a do të kushtëzohet që kjo shumë…të kushtëzohet me ndonjë veprim nga ana e Qeverisë së Kosovës. Nëse ndodh një gjë e tillë do të ishte e gabuar. Unë mendoj se kushtëzimi evropian sa i takon edhe anëtarësimit edhe në Këshill të Evropës nuk ka qenë i drejt. Përkundër që jam në opozitë i gëzohem sukseseve të Kosovës”, thekson ai.

Nga 6 miliardë euro që janë paraparë për vendet e Ballkanit Perëndimor me Planin e Rritjes, Kosovës i takojnë mbi 800 milionë.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen së fundit, në kuadër të Procesit të Berlinit bëri të ditur se brenda këtij viti, do të ndahen mjetet e para nga ky fond.

Së fundmi BE-ja miratoi agjendat e reformave të pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovës, të cilat i kanë paraqitur si kusht për të përfituar nga paketa e Planit të Rritjes. /kp/

Exit mobile version