Telegrafi

Qeveria shfuqizon Task-forcën antikorrupsion në Policinë e Kosovës

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot ka marrë vendim për shfuqizimin e Departamentit Special Anti-Korrupsion në kuadër të Policisë së Kosovës.

Me votat e anëtarëve të Qeverisë është shfuqizuar vendimi i Qeverisë Nr. 02/110 të datës 26 shkurt 2010”, i cili vendim kishte themeluar Task-forcën antikorrupsion në kuadër të Policisë së Kosovës.

Para votimit, ministri i Drejtësisë Selim Selimi, tha se vendimi mund të dëmtojë disa raste që janë në proces.

“Kisha shprehur si nevojë që pikë së pari të shikojmë të gjeturat e rishikimit funksional, pasi shfuqizimi i menjëhershëm ka mundësi t’i dëmtojë disa raste që janë në proces”, tha ai.

Por, kryeministri Avdullah Hoti tha se me këtë vendim i hapet rrugë që institucionet të veprojnë në bazë të ligjit.

Lexo po ashtu Raporti i EULEX-it: Kishte tendencë që disa raste të mbahen në fazën fillestare, ndërsa hapja e hetimeve zyrtare vonohej nga Prokuroria Speciale

“Ky është vendim i vitit 2010 që parashikon obligime që ka krijuar, që në fakt është ndarja e pushteteve. Kur është marrë vendimi për mandatin e EULEX, ka ndërruar plotësisht. Besoj që ky vendim i hap rrugë që institucionet të funksionojnë në bazë të ligjeve”, tha ai.

Më 26 shkurt 2010, Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me EULEX-in, kishte kërkuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) që në kuadër të saj të themelojë një departament special anti-korrupsion me qëllim të hetimit dhe luftimit të dukurive korruptuese në Kosovë.

Propozimi për shuarje është kritikuar së tepërmi sot nga shoqëria civile.

Punën e kësaj Task-force e ka lavdëruar edhe misioni i EULEX-it, duke thënë se kanë kryer shumë punë gjatë funksionimit të saj. /Telegrafi/