Ndonëse para dy ditësh Qeveria e Kosovës votoi Pakon e Projektligjeve për Transformimin e FSK-së në Ushtri, një gjë e tillë mbetet e vështirë për t’u realizuar.
Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike, të cilët thonë se reagimet e NATO-s dhe të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, të ardhura pas vendimit të Qeverisë, tregojnë se bërja e ushtrisë nuk do të lejohet të ndodhë nëpërmjet ndryshimeve ligjore, duke shpërfillur amendamentimet e Kushtetutës.
Pavarësisht deklaratës së Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, ku thuhej se institucionet e Kosovës nuk janë konsultuar me ta për vendimin mbi ushtrinë, nga Qeveria e Kosovës i kanë thënë “Zërit” se kryeministri Ramush Haradinaj është në kontakt të vazhdueshëm me Ambasadën në fjalë.
Në Qeveri thonë se për këtë veprim kanë përkrahjen e aleatëve ndërkombëtarë, derisa në anën tjetër opozita po vlerëson se kjo Qeveri, por edhe ato para kësaj po luajnë “pingpong” me ushtrinë, shkruan sot Gazeta “zëri”.
Përfaqësuesit e opozitës shprehen tejet skeptikë nëse nisma e Haradinajt mund të shkojë deri në fund, pikërisht pasi sipas tyre qëndrimi i ndërkombëtarëve nuk ka ndryshuar.
Ndonëse e mbështesin krijimin e ushtrisë, ata thonë se nisma e kreut të ekzekutivit është ndërmarrë vetëm për t’i mbuluar çështjet e tjera, duke e keqpërdorur çështjen e ushtrisë.