Ministri i Financave Avdullah Hoti ka pritur në takim një delegacion të Kontrollit të Lartë të Shtetit të Republikës së Shqipërisë, i kryesuar nga kryetari Bujar Leskaj.
Gjatë këtij takimi Hoti e njoftoi Leskajn për procesin e buxhetit të shtetit të Republikës së Kosovës dhe njëherit e njoftoi atë për planet dhe vizionin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në menaxhimin sa më të mirë të parasë publike.
Me këtë rast Ministri Hoti gjithashtu shprehi gatishmërinë e institucionit që drejton për të bashkëpunuar sa më ngushtë me shtetin shqiptar në shkëmbimin e përvojave të të dy vendeve në ngritjen e menaxhimit dhe efikasitetit në shpenzimin e parasë publike.
Ndërsa, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit Bujar Leskaj shprehi gatishmërinë e tij për një bashkëpunim sa më të madh ndërmjet dy institucioneve për të ndihmuar Qeverinë dhe organizatat e audituara në menaxhimin e mirë të parasë publike.
Ai më tej bëri të ditur se përkrahja e Republikës së Shqipërisë nuk do të mungojë edhe në anëtarësimin e institucionit të Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar të auditimit: INTOSAI dhe EUROSAI. /Telegrafi/