Qeveria e Kosovës ka publikuar masat e marra për luftimin dhe parandalimin e pandemisë COVID-19. Ndër masat e shumta të publikuara sot (e hënë), janë edhe ato me aktivitetet sportive.
Sipas njoftimit, Qeveria ka ndaluar të gjitha aktivitetet sportive, të cilat zhvillohen në ambiente të mbyllura.
“Në vazhdim të masave tjera të luftimit dhe parandalimit të COVID-19, Qeveria ka pezulluar veprimtarinë e çerdheve publike dhe private; aktivitetet rekreative, kulturore dhe sportive të mbyllura në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Në lidhje me këto masa, ditë më parë, është zhvilluar edhe një takim i ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, me presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani dhe drejtuesit e federatave sportive.
“KOK mbështet vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës, derisa kërkon nga çdo qytetarë i Kosovës t’i përmbahet masave të dala nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria për luftimin e pandemisë”, transmeton faqja e KOK-ut.