Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka prezantuar në BE idenë për formimin e dy ekipeve negociatore për dialogun Kosovë-Serbi. Njërin përfaqësues politik e tjetrin profesional e këshillues.
Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Presidencës, në të cilin thuhet se kryeministri në detyë nuk është konsultuar me presidentin Hashim Thaçi si udhëheqës i politikës së jashtme.
Madje nga presidenca kanë thënë se Kurti nuk e ka as legjitimitetin politik për të udhëhequr me dialogun pasi që vlerësojnë se është i shkarkuar nga Kuvendi.
Por zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu në një prononcim për KP ka thënë se një ide e tillë buron nga kompetencat dhe përgjegjësitë Kushtetuese të cilat i ka kryeministri i Republikës së Kosovës, por në të njëjtën kohë është mbështetur edhe nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i qershorit të vitit të kaluar.
Kryeziu ka deklaruar se Kurti do të vazhdojë të luajë rolin e tij Ksuhtetues deri në zgjedhjes së kryeministrit të ri.
Ai madje u ka bërë ftesë të gjitha institucioneve që janë të përfshira në ekipet negociatore që të jenë pjesë punës së përbashkët.
“Për aq kohë sa kryeministri Kurti vazhdon të jetë në detyrë dhe në zyrë ai patjetër sillet si kryeministër si një kryeministër deri në zgjedhjen e kryeministrit të ri. Këto propozime e sugjerime, e ide janë në kuadër të përgatitjeve paraprake për rifillimin e dialogut ashtu që këto t’i shërbejnë dialogut kurdo që ai ë jetë i gatshëm që të rifillojë. Dhe propozimet janë përfundimisht në kuadër të kompetencave të kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe ne bëjmë ftesë që të gjitha institucionet të cilat janë të përfaqësuara të përfshira në këto ekipe të jenë pjesë e këtyre ekipeve bashkë me partitë politike ashtu që të krijojmë një pajtueshmëri të gjerë politike dhe përfundimisht njëherë e përgjithmonë të përfaqësohemi me një zë sa i përket çështjeve të rëndësisë nacionale”, tha ai.
I pyetur se a është konsultuar Kurti paraprakisht me të apostrofuarit në këto ekipe, Kryeziu ka thënë se konsultat do të fillojnë tani.
Ai ka thënë se për dallim nga qeveria e kaluar, Kurti ka një ekip shumë më legjitim dhe kompetent, e të cilit do t’i prijë kryeministri i vendit, ndërsa presidenti dhe kryeparlamentari do të jenë pjesë përbërëse e ekipit.
“Propozimi ka ardhur si rezultat dhe si pasojë e përgjegjësive Kushtetuese që ka kryeministri i Republikës së Kosovë. Pas këtij prezantimi unë besoj që do të zhvillohen edhe takime diskutime me të gjithë ata që parashihen që të jenë pjesë e këtij ekipi. Ndonëse ne nuk mundemi që t’i kushtëzojmë që të jenë pjesë e këtij ekipi, por ne besojmë që kjo është hera e parë që formohet një ekip me përfaqësim ndërinstitucionale, ndërpartiak, i cili për dallim prej propozimit të qeverisë së kaluar, në vend që të ketë dy bashkëdrejtues ka një drejtues Dhe në vend se dy bashkëdrejtuesit të jenë kryetar komune e zëvendëskryeministër, ka një kryeministër si kryesues të këtij ekipi. Dhe për dallim prej atij propozimi në fakt ka edhe një kryeministër në përbërje i cili është i gatshëm që të marrë përgjegjësinë edhe që i takon, por edhe që obligohet nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, tha ai.
Përveç presidentit edhe opozita po e kundërshton një ide të tillë, duke e vlerësuar Kurtin jo-legjitim për të udhëhequr me dialogun.
Kryeministri në detyrë, i ka dërguar më 3 prill të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë Serbi, Miroslav Lajçak listën e ekipit negociator për dialogun me Serbinë.
Përbërja e ekipit është: Albin Kurti – kryeministër dhe udhëheqës i ekipit negociator, Hashim Thaçi – president, anëtar, Vjosa Osmani – kryetare e Kuvendit, anëtare, përfaqësuesi i LVV, anëtar, përfaqësuesi i LDK, anëtar përfaqësuesi i PDK, anëtar, përfaqësuesi i AAK-PSD, anëtar, përfaqësuesi i NISMA-AKR, anëtar, përfaqësuesi i Listës Serbe, anëtar dhe përfaqësuesi i Grupit 6+, anëtar.