Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se së shpejti do të marrë vendim lidhur me lejimin e qarkullimit të veturave me targa të Serbisë në territorin e Kosovës, pa vendosjen e letrave ngjitëse.
Në një prononcim me shkrim për Telegrafin, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka thënë se Policia kufitare është duke monitoruar me kujdes zbatimin e vendimit të Serbisë për qarkullimin e veturave me targa RKS.
Ai tutje ka bërë në ditur se vendimi nga ana e ekzekutivit do të merret bazuar në parimin e reciprocitetit dhe mbështetur mbi përfundimet e policisë kufitare.
“Policia jonë kufitare është duke monitoruar me kujdes zbatimin e vendimit të Serbisë për qarkullimin e veturave me targa RKS. Siç kemi thënë edhe javën e kaluar, sjellja dhe vendimi ynë do të jenë mbi bazën e parimit të reciprocitetit dhe i mbështetur mbi analizat dhe përfundimet e policisë kufitare mbi nivelin e zbatueshmërinë nga ana e Serbisë. Një vendim pritet që të merret së shpejti”, ka deklaruar Kryeziu.
Më 25 dhjetor Qeveria e Serbisë ka marrë një vendim që mundëson lëvizjen e lirë të të gjitha automjeteve nga Kosova në territorin e Serbisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se pasi Policia e Kosovës do të vërtetojë që Serbia po e zbaton të plotë dhe pa pengesa vendimin për pranimin e targave të Republikës së Kosovës, ekzekutivit kosovar do të marrë vendimin “e barasvlershëm si çështje e marrëdhënieve reciproke ndërshtetërore”.
Në mbledhjen e qeverisë, më 27 dhjetor, Kurti është shprehur se Serbia po e përdor çështjen e targave për të ulur presionin ndërkombëtar ndaj saj, si dhe “për të maskuar dështimin e tyre në Banjskë më 24 shtator”./Telegrafi/