Site icon Telegrafi

Qeveria paralajmëron mbajtjen e një takimi për të vendosur për taksën

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se do të mblidhet së shpejti për të marrë vendimin në lidhje me taksën apo tarifën doganore të vendosur ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Vendimi për tarifën doganore prej 100 për qind ishte marrë në nëntor të vitit, 2018, nga qeveria e kaluar e Kosovës, e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Qeveria aktuale e kryeministrit Albin Kurti ka paralajmëruar heqjen e taksës dhe vendosjen e reciprocitetit të plotë ndaj Serbisë.

Vendimi i qeverisë në lidhje me taksën, po paralajmërohet pas thirrjeve të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që taksa të shfuqizohet në mënyrë që të vazhdojë dialogu për arritjen e një marrëveshjeje paqësore me Serbinë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, sipas një komunikate për media të lëshuar pas takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ka theksuar se pret që Kosova të heqë tarifën ndaj mallrave serbe dhe të shfrytëzojë momentumin e krijuar pas nënshkrimit të dokumenteve për krijimin e lidhjeve ajrore, hekurudhore dhe tokësore midis Prishtinës dhe Beogradit.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi, tha për Radion Evropa e Lirë, se qeveria planifikon të mbajë një takim ku përveç çështjes së tarifës, do të diskutohet edhe për realizimin e planit qeverisës që rrjedhë nga marrëveshje e koalicionit, ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Abazi, tha se Qeveria e Kosovës po punon që të tejkalojë çështjet e hapura dhe se sipas tij, çështja e heqjes së tarifës po shikohet me kujdes.

“Në përgatitjen e planit qeverisës, i cili është në finalizim, është që të kemi qasje të përgjithshme përfshirë edhe marrëdhëniet në rajon, po në mënyrë specifike, në kalimin nga tarifa për mallrat serbe dhe boshnjake në reciprocitet për të përdorur këtë si instrument të njohur përbrenda marrëdhënieve ndërkombëtare”, tha Abazi.

Megjithatë, ai tha se ende nuk mund të tregohet një datë se kur do të largohet taksa, por theksoi se Qeveria e Kosovës po punon që t’i mbyll çështjet e hapura dhe jo të hap çështje të reja në rrafshin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Qeveria e re e kryeministrit Albin Kurti, ka marrë mbështetjen e SHBA-së e BE-së për heqjen e tarifës 100 për qind ndaj importeve nga Serbia, por kjo përkrahje i ka munguar në tentativën e proklamuar që taksën ta zëvendësojë me vendosjen e masës së reciprocitetit të plotë ndaj Serbisë.

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, ambasadori Richard Grenell, para më shumë se një jave ka shkruar në Twitter se Kosova duhet të heqë tarifën, pa vënë masa tjera në mënyrë që të evitohen barrierat për bizneset dhe ekonominë.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri Abazi thotë se Qeveria do të jetë e kujdesshme me vendimet që do të merr.

“Lëvizjet duhet të jenë në një paralelizëm të veprimeve konstruktive për të arritur në një fazë tjetër [të dialogut] e cila nuk është vetëm edhe një cikël i pafund i diskutimeve, por determinim i vullnetit politik dhe i fqinjësisë së mirë, që të përfundohet njëherë e mirë e përgjithmonë problemi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, tha Abazi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha një ditë më parë se “masa e reciprocitetit nuk është për hakmarrje e as nga inati”, por siç u shpreh ai, vendoset për shkak se Kosova ndihet e diskriminuar dhe kërkon të trajtohet e barabartë.

Kurse, zëvendësi i tij, Haki Abazi thotë se vendosja e reciprocitetit, është qasje pragmatike.

Ndërkaq zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në një postim në Facebook është shprehur se para Kosovës është një proces sfidues i arritjes së Marrëveshjes së paqes me Serbinë, që sipas tij, si konkluzion ka njohjen reciproke, siç edhe shprehet Sekretari Pompeo në letrën e fundit për Qeverinë e Kosovës.

“Ballafaqimi me këtë proces është domosdoshmëri e jona, por edhe kërkesë e miqve tanë që na kanë përkrahur për 30 vite rresht, nga kërcënimet e Kërshëndellave e deri tek bombardimet e NATO-s e shpallja e pavarësisë”.

“Kjo marrëveshje arrihet vetëm përmes një procesi dinamik dialogues të udhëhequr nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ne, si Qeveri me legjitimitet të plotë qytetarë, do të jemi pjesë e zgjidhjes (të mirë) për vendin. Pengesat e vetëshkaktuara që na përjashtojnë nga ky proces nuk na ndihmojnë, përkundrazi”, ka shkruar Hoti pos tjerash në Facebook.

Kryetari i partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka kritikuar kryeministrin Kurti, duke u shprehur se ka disa ditë që në publik po problematizohet seriozisht çështja e tarifës dhe e takimeve të Albin Kurtit me përfaqësuesit e shtetit serb.

“Paragjykimet për këto dy tema, në fakt, janë standard i vënë nga vetë ai dikur. Ky debat në publik i duhet pikërisht atij, që të manipulojë duke i ikur vendimmarrjes dhe përgjegjësisë shtetërore. Por, kjo nuk i duhet sot Kosovës”, ka shkruar pos tjerash Veseli.

Përparim Kryeziu nga Grupi për Studime Juridike e Politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se në rast të rinisjes së procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të sqarohen formati i bisedimeve, pasi që, sipas tij, deri tash ai format ka qenë i paqartë.

“Ne e kemi të qartë, duke u bazuar në premtimet, por edhe kërkesat e komunitetit ndërkombëtar që me t’u marrë vendimi për largimin e tarifës, konsiderohet se më nuk ka asnjë barrierë që dialogu të rifillon. Megjithatë, unë konsideroj se nëse vendimi për largimin e tarifës merret nëse ose pas nesër, konsideroj që do të fillojnë vetëm parapërgatitjet për takimet mes palëve të përfshira”, tha Kryeziu.

Kryeziu thekson se para rifillimit të dialogut, në rrafshin e brendshëm, duhet të ketë një unitet gjithëpërfshirës të spektrit politik. Kjo sipas tij shihet si një sfidë dhe disavantazh në raport me palën tjetër në dialog.

“Në situatën e tanishme është përgjegjësi e institucioneve udhëheqëse drejtuese qeverisëse që të kujdesen që kurdo që dialogu të rifillojë ata të jenë të gatshëm dhe paaftësia për të arritur një pajtueshmëri të mos jetë disavantash i shënuar dhe shumë i dëmshëm për zhvillimin e procesit të dialogut dhe përfundimisht për marrëveshjen dhe përmbajtjen e saj finale”, tha Kryeziu.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë caktuar tashmë dy diplomatë të saj që do të ndihmojnë dhe lehtësojnë dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, Mathew Palmer dhe Richard Grenell. Përderisa Bashkimi Evropian ka propozuar diplomatin sllovak, Mirosllav Lajçak, përfaqësues të posaçëm të BE-së për dialog.

Sipas burimeve të REL-it në Bruksel, shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Joseph Borrell, u ka dorëzuar vendeve anëtare të BE-së emrin e Lajçakut si përfaqësues i ardhshëm i bllokut, i cili para së gjithash do të merret me normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe me çështje të tjera në rajon.

Exit mobile version