Telegrafi

Qeveria nuk ndalet, do të marrë kredi edhe 45 milionë euro

Qeveria do të marrë kredi 21 milionë euro për ta implementuar ligjin për sigurimet shëndetësore, si dhe 24 milionë euro për projektin e efiçiencës së energjisë dhe energjinë e ripërtritshme.

Kjo u bë e ditur në mbledhjen e komisioni për buxhet dhe financa, ku u miratua projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për financim të lidhur ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin e reformës shëndetësore.

Naser Osmani, kryetar i komisionit parlamentarë për buxhet dhe financa ka thënë se nga kjo shumë do të përfitojnë familjet e kategorisë me asistencë sociale.

“Ka të bëjë më tepër me këtë zbatimin ligjit shëndetësore sidomos për pagesën që duhet të paguaj kjo kategoria e asistencës sociale, pjesa e varfër e qytetareve që s’kanë mundësi dhe s’kanë të hyra dhe parashihen që të mbulohet nga kjo shumë”, ka thënë ai.

Në ndërkohë, ministri i financave Avdullah Hoti e ka prezantuar si një çështje që tashmë është e paraparë edhe me program qeverisës dhe që kushtet e kësaj kredie janë të favorshme.

“Kushtet për këtë kredi janë shumë të favorshme janë në përputhje edhe me strategjinë që janë për borxhin publik kanë orientime tek institucionet ndërkombëtare për shkak të normave më të ulëta të interesit që është mesatarisht 1 deri në 1.5 për qind më të ultë se sa borxhi i brendshëm që momentalisht kemi dhe me një greis periudhë prej 5 viteve me një afat të kthimit shumë më afat gjatë se sa borxhi i brendshëm”, ka thënë Hoti.

Kjo shumë, sipas ministrit Hoti do të investohet në objekte komunale në shkolla, shtëpi të shëndetit, izolimin e objekteve për ruajtjen e energjisë edhe në vendosjen e pajisjeve për shfrytëzimin e energjisë së ripërtritshme. /Telegrafi/