Telegrafi

Qeveria, në telashe me kompletimin e bordeve në 15 ndërmarrje (Video)

Qeverisë së Kosovës i kanë dalë sërish probleme të reja në emërimin e bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Ligji i ndryshuar në vitin 2011 për këtë agjenci parashihte që pjesë përbërëse e bordit të jenë edhe tre ndërkombëtarë dhe të cilët do të emërohen nga Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, funksion që nuk ekziston më nga viti 2012.

Në këtë vit, Kosova e përfundoi pavarësinë e mbikëqyrur, por në ligjin e ndryshuar ishin lënë anëtarët ndërkombëtarë të bordit, të cilët do të emëroheshin nga Kuvendi me propozim të emrave nga Qeveria.

Këto ndryshime që gjenden në ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, parashohin që mandati i tyre të përfundojë në gusht të 2014-ës.

Një zyrtar i Qeverisë, në kushte anonimiteti, i ka thënë KTV-së se mossqarimi si duhet i kësaj çështjeje ka ngritur dilema nëse bordi duhet të jetë tërësisht vendor.

Ndërkohë, burime tjera brenda ekzekutivit i kanë thënë KTV-së se ka dalë edhe një problem i ri në emërimin e bordit të kësaj agjencie.

Zyrtarë të Qeverisë nuk kanë dhënë detaje rreth kësaj çështjeje, pos që kanë thënë të mos e kenë një datë të saktë se kur do të marrë fund pritja për emërimin e anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike dhe të atyre të agjencive.