Telegrafi

“Nga kufizimi te kontrolli shtuar”, Kurti jep detaje për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj produkteve serbe

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se në pikë kalimin kufitarë me Serbinë, në Merdarë kanë ndërruar masën e sigurisë për mallrat serbe duke e zëvendësuar me kontrollin e shtuar. 

Kurti përmes një konference për media ka thënë se në pikët kalimet tjera kufitare kjo masë do të ndryshojë deri në momentin që të sigurojnë skanerët.

“Ministri i MPB-së i ka shkruar drejtorit të Doganave që në njërën nga pikat kufitare me Serbinë, Republika e Kosovës e ka ndërruar masën e sigurisë nga kufizimi te kontrolli shtuar, derisa të na vijnë skanerët. Në momentin që do të na vijnë skanerët, atëherë do të vendosim në të gjitha pikat kufitare, por derisa nuk na vijnë skanerët ne do ta hapim një pikë kufitare e cila do ta ketë kontrollin e shtuar, pasi masat që i kemi ne janë masat e sigurisë”, ka thënë Kurti.

Ai tutje u shpreh se masat tona nuk kanë qenë dhe nuk janë asnjëherë tregtare, janë masa të sigurisë.

“Serbia në dy vitet e fundit e ka sjellë katër herë ushtrinë e saj te kufiri, në vitin e kaluar dhe këtë vit kemi pasur katër konfiskime të mëdha të armatimit dhe municionit, ndërkaq grupi paramilitar terrorist që vrau Afrim Bunjakun vazhdon të jetë i lirë në Serbi”, tha Kurti.

Kryeministri shtoi se nëpërmjet rrugëve të ndryshme mund të kenë qenë jo vetëm ilegale, nëse kanë hy mallra nga Serbia e ne nuk i kemi hapur ato diçka edhe përvidhet, “kjo i ndodh edhe SHBA-së e Gjermanisë”

“Ne duhet të ndërmarrim masa të sigurisë e asnjëherë tregtare. Ne po e bëjmë këtë ndryshim sipas letrës që ja ka dërguar drejtorit të Doganave ministri i Punëve të Brendshme.

Ne besojmë që ndryshimi i masës që bëjmë, pasnesër në CEFTA dhe në Proces të Berlinit  të kemi sukses të plotë”, tha ai.

Kurti shtoi se janë përcaktuar që kjo masë të ndryshoj vetëm për pikën kufitare në Merdarë pasi që terminali doganor është shumë afër.

“Jemi përcaktuar për Merdarë sepse aty është hapësira më e gjerë dhe terminali doganor është vetëm 300 metra larg pikës kufitare. Sa më e shkurtër kjo distancë është më e lehtë kontrolli i mauneve nga doganierët tanë”, tha kryeministri.

Gjermania ditë më parë kishte “kërcënuar” Kosovën me mospjesëmarrje në Procesin e Berlinit që pritet të mbahet më 14 tetor, nëse nuk e heq ndalesën e importit të mallrave nga Serbia.

Ndryshe,  Qeveria e Kosovës kishte ndalur importet nga Serbia pas arrestimit të tre policëve kosovarë nga forcat serbe, tensioneve në veri dhe dyshimeve se nëpërmjet mallrave janë futur ilegalisht armë. /Telegrafi/