Qeveria e Kosovës ka marr sot vendim për ndarjen e mjeteve buxhetore në emër të dërgimit të kontingjentit të parë të ndihmave humanitare nga Republika e Kosovës për popullin e Ukrainës.
Vendimi u mor sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.
Propozim vendimi për ndarjen e mjeteve buxhetore 100 mijë euro emër të dërgimit të kontingjentit të parë të ndihmave humanitare nga Republika e Kosovës për popullin e Ukrainës u propozua nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Ministrja Donika Gërvalla tha se me qëllim të shprehjes së solidaritetit propozoi ndarjen e mjeteve prej 100 mijë euro në emër të dërgimit të kontingjentit të ndihmave për popullin e Ukrainës.
“Përmes kësaj ndihme shprehim mbështetjen e pakursyer për Ukrainën”, tha ajo.
Ndërkaq, në njoftimin e MPJD-së thuhet se të hollat i shpërndahen shoqatës humanitare “Nënë Tereza”, e cila do merret organizimin/blerjen e produkteve “Made in Kosova”, të cilat më pas përmes transportit rrugor do të nisen për në Ukrainë.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz ka thënë se Kosova është shtet që e kupton luftën për liri dhe drejtësi, dhe kupton secilin qytetarë që detyrohet të braktisë shtëpinë e tij për shkak të një agresori.
“Republika e Kosovës nëpërmjet kësaj ndihme simbolike shpreh solidaritetin dhe përkrahjen për popullin e Ukrainës”, ka thënë ministrja Gërvalla.
Me inicimin e MPJD-së, qeveria ka pezulluar vizat për qytetarët e Ukrainës, ka ndarë mjete financiare edhe për strehimin e 20 gazetarëve ukrainas, dhe gjithashtu Kosova i është bashkëngjitur të gjitha vendimeve sanksionuese që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë vendosur Federatës Ruse. /Telegrafi/