Telegrafi

Qeveria miraton vendimin përfundimtar për shpronësimin e pronave në Leposaviq dhe Zubin Potok

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot ka miratuar vendimin përfundimtar për shpronësimin e pronave të paluajtshme në Leposaviq dhe Zubin Potok.

Këto prona preken nga realizimi i “Projekteve Infrastrukturore për Interes Publik”, transmeton Telegrafi.

“Vendimin Përfundimtar për shpronësim për interes publik i pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga realizimi i ‘Projekteve Infrastrukturore për Interes Publik’, në Komunën e Leposaviqit dhe Komunën e Zubin Potokut, në pajtim me aktgjykimet e plotfuqishme të gjykatave të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e bërë nga Qeveria.

Qeveria këtë vendim e mori pas disa muajsh shtyrje të shpronësimit të pronave në Leposaviq e Zubin Potok.

Bashkësia ndërkombëtare më herët ka reaguar për çështjen e shpronësimeve në veri të Kosovës, ndërsa Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim për “ndërtimin e bazave policore në toka private dhe shoqërore”.

Kundërshtime kishin paraqitur edhe serbët lidhur me shpronësimet që do të ndodhin në atë pjesë./Telegrafi/