Site icon Telegrafi

​Qeveria miraton Strategjinë sektoriale të shëndetësisë 2025-2030

Qeveria ka miratuar strategjinë sektoriale të shëndetësisë 2025-2030, e cila u konsiderua se do të kontribuojë në ruajtjen, mirëmbajtjen dhe përmirësimin e shëndetit të popullatës.

Kryeministri Albin Kurti tha se me këtë strategji do të kontribuohet në përmirësimin e shëndetit të popullatës.

“Reforma në sektorin e shëndetësisë do të synojë qasjen e plotë për të gjithë qytetarët për shërbime shëndetësore cilësore dhe të sigurta pa vështirësi financiare. Me këtë strategji do të kontribuojmë në ruajtjen, mirëmbajtjen dhe përmirësimit e shëndetit të popullatës. Kjo do të arrihet me sigurimin e qasjes universale dhe të barabartë në shërbime shëndetësore cilësore dhe të përballueshme për të gjithë qytetarët e vendit”, deklaroi Kurti.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia gjatë prezantimit të kësaj strategjie tha se udhëheqja e sektorit të shëndetësisë është përgjegjësi e madhe, për çka u zotua për përmirësimin e cilësisë dhe të sigurisë së shërbimeve shëndetësore, transmeton KP.

“Strategjia që sot po miratohet synon realizimin e vizionit të saj për popullatë të shëndetshme, shërbime shëndetësore cilësore dhe të sigurta, në qasje të lehtë të barabartë por edhe kosto efektive. Strategjia sektoriale e shëndetësisë dhe plani i veprimit synon tu jap politikë politikbërësve në shëndetësi, institucioneve shëndetësore dhe të gjithë pjesëmarrësve të tjerë në sektor mundësinë që përmes një qasje gjithëpërfshirëse të kontribuojnë dhe të fokusohen në faktorët që kanë ndikim në shëndetin dhe mirëqenien e popullatës.

Zbatimi i synimeve tona të përcaktuara me strategji do të mundësojnë kalimin e sistemit tonë shëndetësor nga niveli i mirëmbajtjes në një sistem shëndetësor në zhvillim, duke ndryshuar format e financimit përmes funksionalizimit të skemës së sigurimit shëndetësor të detyrueshëm, integrimin e shërbimeve dhe rritjen e transparencës e llogaridhënies me qëllim të rritjes së besimit të qytetarëve në sistemin shëndetësor”, deklaroi Vitia.

Exit mobile version