Me të gjitha votat për është miratuar rregullorja e re për fushat e përgjegjësisë administrative në Kryeministri dhe ministritë e Republikës së Kosovës.
Në mbledhjen e mbajtur nga Qeveria e Kosovës, është miratuar kjo rregullore e cila siç tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte një vendim që duhej të merrej urgjentisht.
Kurti theksoi se pas miratimit të kësaj rregulloreje, tani do të mund të merren edhe vendime të tjera nga ministrat e ministrive përkatëse të Qeverisë.
“Ka vendime të shumta që janë duke u përgatitur e janë urgjente, por që sot e kemi një vendim i cili është më urgjent se të tjerët, e që është rregullorja e re për fushat e përgjegjësisë administrative e cila i hap rrugë sistemimit të përgjegjësive, që kemi në kryeministri e në ministri e ndryshme të linjës si rezultat i fuzionimit që janë bërë në disa ministri”, tha Kurti gjatë mbledhjes.
Rregullorja për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive, e miratuar sot, është obliguese për Kryeministrin, zëvendëskryeministrat, ministrat, zëvendësministrat, këshilltarët politikë, këshilltarët e jashtëm politikë, nëpunësit e punësuar në kabinete dhe nëpunësit civil në Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Rregullorja përkufizon funksionet e Qeverisë në ushtrimin e pushtetit ekzekutiv në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi dhe kompetencat përmes miratimit të vendimeve me propozimin e anëtarëve të Qeverisë dhe institucioneve tjera në pajtim me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi; miratimit të akteve juridike ose rregulloreve, të nevojshme për zbatimin e ligjeve; diskutimin e problemeve dhe miratimin e vendimeve për çështje të tjera që ajo i konsideron të rëndësishme në kuadër të kompetencave të saj; miratimit të vendimit për emërimet dhe shkarkimet brenda kompetencave të saj, si dhe kryen të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë e tjera të përcaktuara me Kushtetutë dhe legjislacionin në fuqi.
Rregullorja e miratuar nga Qeveria e Kosovës përcakton edhe përbërjen nga këto ministri:
- Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD);
- Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT);
- Ministria e Drejtësisë (MD);
- Ministria e Mbrojtjes (MM);
- Ministria e Punëve të Brendshme (MPB);
- Ministria e Shëndetësisë (MSH);
- Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI);
- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS);
- Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL);
- Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI);
- Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR);
- Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT);
- Ministria e Ekonomisë (ME);
- Ministria për Komunitete dhe Kthim (MKK);
- Ministria e Zhvillimit Rajonal (MZHR). /Telegrafi/