Aktivitetet e institucioneve të Kosovës në mbështetje të popullit të Ukrainës në njëvjetorin e pushtimit rus të këtij shteti, po vazhdojnë edhe këtë pasdite.
Në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës është vendosur flamuri i Ukrainës. Ndërkohë, gazetarët ukrainas të cilët janë strehuar në Kosovë kanë nisur aksionin e tyre përmes së cilit kërkojnë ndërprerjen e luftës.
Ata kanë marshuar në sheshet e kryeqytetit me pankarta në duar, me mesazhe për ndërprerjen e luftës dhe falënderime për Kosovën.
Në përfundim të marshimit, pranë sheshit “Zahir Pajaziti” gazetarët kanë ndezur qirinj.
Gjatë ditës, edhe Komuna e Prishtinës ka mbajtur një seancë solemne në shenjë solidarizimi me popullin ukrainas.
Ndërsa pas seancës, kryetari Përparim Rama së bashku me një grup fëmijësh kanë lëshuar në qiell pëllumba të bardhë për të dhënë mesazhin për paqe./Telegrafi/