Kabineti i Qeverisë Hoti ka votuar sot rishikimin e buxhetit për vitin 2020.
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami derisa paraqiti rishikimin e buxhetit tha se nuk kanë larguar asnjë projekt fillestar, dhe se kursimet e identifikuara do të kthehen në proceset e ardhshme buxhetore që siç tha ajo, mjetet nuk do të humbin.
“Sa i përket implikimet buxhetore jam e vetëdijshme se secili prej nesh do të donim që të kemi më shumë fonde që t’ia dalim nga kjo sfidë dhe ta rimëkëmbim ekonomin. Të hyrat buxhetore në vitin 2020 në total mbi 1 miliard e 788 milionë euro presim një rënie prej 5 për qind. Me kthimin e rritjes ekonomike presim që në 2021 të kemi edhe rritje te hyrave. Shpenzimet buxhetore presim që të jene 2 miliardë e 620 milionë. Deficiti i buxhetit pritet të jetë 6.5 për qind e bruto produktit vendor”, tha ajo.
Ajo tha se me rishikimin e buxhetit do të mundësohet zhvillimi ekonomik gjithëpërfshirës dhe i qëndrueshëm.
Kurse, kryeministri Avdullah Hoti tha se kjo punë është bërë falë bashkëpunimit ndërministror.
“Unë edhe një herë ju falënderoj për bashkëpunim dhe koordinimin me ministrinë e financave. Janë marrë obligimet e nevojshme që këto çështje të adresohen me kohë. Ne marrim obligime që t’i paguajmë të gjitha faturat që janë në përputhje me ligjin. Fondi 350 milionë euro që është fondi për rimëkëmbje ekonomike do të implementohet menjëherë në ditët e ardhshme në bashkëpunim me odat dhe aktorët tjerë që merren me këtë çështje”, ka thënë Hoti. /Telegrafi/