Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se do t’i rishqyrtojë të gjitha vendimet, përfshirë edhe emërimet në pozita të larta të institucioneve publike, pas datës 19 korrik 2019, ditë kjo kur ish-kryeministri Ramush Haradinaj, kishte dhënë dorëheqje.
Nga dorëheqja e Haradinajt, Qeveria e kaluar e Kosovës ka punuar si qeveri në detyrë, me kompetenca të kufizuara.
Haradinaj, pati dhënë dorëheqje, më 19 korrik, pasi që kishte marrë ftesë për intervistim nga Gjykata Speciale në Hagë, në cilësinë e të dyshuarit.
Zëvendëskryeministër i parë në Qeverinë e Kosovës, Avdullah Hoti, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se të gjitha vendimet e marra gjatë asaj periudhe do të shqyrtohen dhe analizohen nga persona kompetentë brenda zyrës së kryeministrit, për t’u vlerësuar nëse kanë qenë në përputhje me ligjet në fuqi.
“Plani ynë, dakordimi ynë i përbashkët, është që ne të analizojmë vendimet e qeverisë nga momenti i dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj. Pra, nga data 19 korrik, 2019 e këndej, për të parë nëse ato vendime kanë qenë në përputhje me ligjet në fuqi, me procedurat e nevojshme që duhet të ndiqen për ato emërime, por edhe nga aspekti i legjitimitetit të marrjes së vendimeve të tilla sepse një qeveri që është në dorëheqje, duhet të përkujdeset vetëm për mbarëvajtjen e punës së institucioneve. Pra mbarëvajtjes së punëve që janë të nevojshme për të funksionuar dhe për të bërë shërbimet bazike për qytetarët dhe për bizneset”, tha Hoti për Radion Evropa e Lirë.
Gjatë mbledhjes se fundit të qeverisë në largim të udhëhequr nga ish-kryeministri Haradinaj, më 22 janar 2020, iu është vazhduar mandati për tri vjet dy drejtorëve, njërit në Agjencinë për Shoqërinë e Informacionit dhe tjetrit në Shërbimin Gjeologjik të Kosovës.
Edhe përfaqësues të organizatave joqeveritare konsiderojnë se është e drejtë e pakontestueshme e Qeverisë Kurti për të vlerësuar ligjshmërinë e çdo vendimi që është marrë nga qeveria në dorëheqje.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë se krahas shumë vendimeve të marra nga qeveria në largim, është edhe emërimi i drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI) dhe inspektorit të Përgjithshëm të kësaj agjencie.
Sipas Miftarajt, Qeveria Kurti duhet të rishikojë pozitat në të cilat janë emëruar persona në periudhën e qeverisë në largim se a janë legjitim, por, siç thotë ai, assesi nuk ka të drejtë të largojë njerëz nga puna për shkak të bindjeve politike.
“Flasim për vendime për të cilat nuk janë respektuar procedurat dhe rregullat, të cilat kanë mundur të sjellin emërime të larta, që bien në kundërshtim me frymën e Kushtetutës dhe ligjit”, tha ai.
Më 25 nëntor të vitit të kaluar, si kryeministër në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj kishte emëruar Kreshnik Gashin, drejtor të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ndërkaq Burim Ramadanin në pozitën e inspektorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Kurse në janar të këtij viti, nga pozita e kryeministrit në largim, Haradinaj i vazhdoi mandatin edhe për tri vjet drejtorit të Përgjithshëm të Doganës së Kosovës, Bahri Berisha.
Gjatë kësaj periudhe, sipas shoqërisë civile, ka pasur edhe emërime në misionet diplomatike, pastaj të noterëve të rinj. Ndërkohë, shumica e institucioneve qendrore dhe lokale kishin shpallur konkurse për vende të reja të punës. Në kohën e hapjes së shumë konkurseve, edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë kishte reaguar duke i kërkuar qeverisë në detyrë që të mos vazhdonte me hapjen e konkurseve, pasi që ato mund të konsideroheshin joligjore.
Edhe Florent Spahija, ekspert ligjor në Institutin Demokratik të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shprehet se qeveria duhet të analizojë vendimet dhe nëse vërtetohet se ka bazë joligjore duhet të ndryshohen.
“Qeveria e ka një zyre ligjore dhe besoj se gjithçka ka shkuar në bazë të ligjit, por nëse gjendet se ka munguar kompetenca në emërimin e personave në pozita të caktuara ose mandati nuk i ka lejuar miratimin apo emërimin e këtyre personave, atëherë konsideroj se këto vendime mund të rishikohen nga ekzekutivi dhe të ndryshohet, pasi këto vendime bartin pasoja për shoqërinë në përgjithësi”, tha Spahija.
Pas dorëheqjes së tij nga detyra e kryeministrit, Ramush Haradinaj i ishte drejtuar më 29 korrik Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për definimin e kompetencave dhe funksionit të qeverisë në rrethanat e krijuara pas dorëheqjes së tij.
Por, më 4 shtator, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e ka cilësuar të papranueshme për interpretim kërkesën e Haradinaj, dhe “konkludoi se çështjet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës nuk hyjnë në fushëveprimin e juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese”.
Lëvizja Vetëvendosje, edhe para se të vinte në pushtet, i kishte bërë thirrje qeverisë në detyrë, që të mos keqpërdorej, siç ishte thënë, tranzicioni qeverisës, duke i tërhequr vërejtjen se “personat që bëhen pjesë e këtyre manipulimeve do mbajnë përgjegjësi”. Vendimet dhe emërimet e tyre, edhe atëherë ishte thënë se do të zhbëhen.