Site icon Telegrafi

Qeveria Kurti kishte 50 ditë pune, këto janë disa nga vendimet e kryeministrit në dorëheqje 

Kuvendi i Kosovës mbrëmë rrëzoi Qeverinë Kurti, me 82 vota pro, qeveri kjo që pati vetëm 50 ditë pune.

Por për këto 50 ditë sa funksionoi, Qeveria Kurti nxori një mori vendimesh, të cilat i përmendi në seancë, tashmë kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti.

“Qeveria e re e Republikës së Kosovës sot ndodhet në ditën e 50 të punës së saj. Pra, sot mbushen 50 ditë prej se kemi filluar detyrën zyrtarisht. Të gjithë e pamë se si, jo vetëm që nuk i kishim 100 ditë për të dëshmuar veten, por nuk i patëm as 100 orë.  Sot, 50 ditë më vonë, mund të them se jam krenar me këtë kabinet qeveritar dhe me të arriturat e tij”, tha Kurti.

Shefi i Qeverisë në dorëheqje përmendi këto vendime:

Qysh në fillim i përgjysmuam pagat e Kryeministrit, zëvendëskryeministrave, ministrave, zëvendësministrave dhe stafit të tyre, por jo edhe pagat në sistemin e drejtësisë dhe në Gjykatën Kushtetuese. Dëshiruam të tregojmë se çka konsiderojmë vlerë dhe të sjellim etikë në politikë.

I shkarkuam 7 Koordinatorët Nacional të panevojshëm që ishin barrë edhe për buxhet edhe për funksionim.

U emërua Komiteti për Partneritet Publiko-Privat, në përbërje të 5 ministrave.

U aprovua mbështetja financiare për evitimin e dëmeve nga fatkeqësia natyrore e stuhisë së fuqishme në komunën e Pejës dhe Istogut. Sipas raportit të komisionit, dëmet arrijnë shumën prej mbi 433 mijë euro.

U shkarkua Bordi i Drejtorëve i Ndërmarrjes Publike Qendrore “Telekomi i Kosovës” Sh.A.

U shfuqizua vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për pagat e ish-ministrave e ish-zëvendësministrave pasi ata përfundojnë mandatin.

U aprovua kërkesa e Ministrisë së Financave dhe Transfereve për ndarjen e mjeteve financiare në shumë prej 200 mijë euro si mbështetje financiare për Republikën e Shqipërisë, për qëllim të ndihmës në sanimin e dëmeve nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019, si shtesë e shumë ndihmave të mëhershme edhe materiale edhe të tjera që ia kemi dërguar Republikës së Shqipërisë.

U shkarkua Bordi i Drejtorëve i Ndërmarrjes Publike Qendrore “Hekurudhat e Kosovës – Infrakos” Sh.A.

U shfuqizua Vendimi i Qeverisë për aprovimin e Koncept Dokumentit për ndryshimin e politikave fiskale dhe bujqësore për prodhimin e duhanit dhe cigareve në Kosovë, ku ju bëhen me lidhje të shkurtë favore këshilltarëve.

U ndanë mjete financiare në shumë prej 400 mijë euro për Ministrinë e Shëndetësisë për parandalimin e situatave të mundshme emergjente për epidemi. Më vonë kemi ndarë buxhet prej 10 milionë euro për luftimin e përhapjes së pandemisë të Virusit Corona.

U aprovua propozimi i Ministrisë së Drejtësisë, për themelimin e Grupit të ekspertëve të pavarur për të dizajnuar parimet udhëheqëse, skenarët dhe elementet e reformës së Vettingut në sistemin e drejtësisë, që përbëhet nga 10 profesionistë.

U shkarkuan drejtorët e Bordit Mbikëqyrës të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Trepça” Sh.A.

Ai tha se ministrat kanë bërë po ashtu punë të palodhur e të madhe, duke i përmendur disa prej vendimeve që ata i morën:

Shfuqizimi i vendimeve të emërimeve të 14 konsujve të kotë nëpër botë, të cilëve ua kemi mundësuar riatdhesimin.

Anulimi i tenderit 110 milionësh i autostradës Prishtinë-Gjilan i shpallur pa miratim buxhetor.

Anulimi i ndërtimit të lagjes pranë liqenit të Badovcit.

Ministria e Integrimit Evropian do të kursejë 330.000 euro çdo vit pasi që është zhvendosur në objektin e Qeverisë së Kosovës dhe kështu nuk do të paguajë qira dhe shpenzime komunale koti nga buxheti i taksapaguesve.

U nënshkrua marrëveshja me Bankën Botërore për të mbështetur Kosovën me grant prej 2.785.000 dollarë.

U anuluan tri vendime të ish-ministres së Integrimit Evropian, duke kursyer kështu rreth 400 mijë euro.

Me 6 mars u aprovua Programi Qeverisës i Republikës së Kosovës për vitet 2020 – 2023.

U anulua vendimi i Qeverisë së kaluar ku kompanisë “Bechtel-Enka” do t’i kalonin 50 milionë euro. Ka nevojë për kyçje e mbikalim në autostradën e mbyllur, por jo 50 milionë euro. Mundet ndryshe, mundet më mirë e më lirë sigurisht.

Pas shkarkimit të tyre të mëhershëm, i emëruam bordet e përkohshme në Telekomin e Kosovës dhe Ndërmarrjen “Trepça” Sh.A. Këto dy borde të përkohshme, sipas ligjit për Ndërmarrjet Publike, do të jenë në funksion deri në ardhjen e bordit të ri.

Në listën e sanksioneve të OKB-së e BE-së ndodhet një kompani e cila ka eksportuar drejt vendit tonë, dhe ku tash e tri javë u mbajt në Doganën e Kosovës. Kompanisë “Sabalan Company – Iran” e cila figuron si entitet nën sanksione si kompani mbulesë e një kompanie tjetër, me vendim unanim të Qeverisë së Republikës së Kosovës iu vendosen sanksione edhe për vendin tonë.

U aprovua Projektligji mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020, projektligj i cili u votua me 14 mars këtu në Kuvend. Qeveria jonë ka trashëguar një masë të konsiderueshme të obligimeve të papaguara nga Qeveria e mëhershme dhe nga komunat, një borxh të gjithmbarshëm në vlerë 328 milionë euro.

Rruga Prishtinë-Mitrovicë, e njohur si N2, do të bëhet. Si hap të rëndësishëm kemi miratuar shpronësimet e pronave të paluajtshme në segmentin Gojbulë-Smerkovnicë, gjë që do të përfundojë zgjerimin e kësaj rruge e cila ka filluar para rrugës së kombit “Ibrahim Rugova”, por ende s’u përfundua.

U themelua Komiteti Drejtues i Projektit të Asistencës Teknike “Energjia nga Linjiti”.

Është miratuar vendimin me të cilin i kërkohet Agjencisë Kosovare të Privatizimit që të pezullojë për afat të pacaktuar të gjitha veprimet në lidhje me pronat e paluajtshme nga “Lista e Aseteve për Qiradhënie me karakter specifik e azhurnuar”, e shpallur më 5 mars 2020.

“Më datën 11 mars kemi marrë një seri vendimesh që lidhen me virusin Korona, të njohur si COVID-19”, tha Kurti.

Ndërprerjen e procesit edukativo-arsimor në institucionet arsimore publike dhe private në të gjitha nivelet deri më 27 mars 2020, me rekomandim që të lirohet njëri prind nga puna (kjo masë nuk vlen për punëtorët shëndetësor dhe për ata në sektorin e sigurisë)

Kemi bërë ndalimin e hyrje-daljeve në disa komuna, kemi mbyllur kufijtë e aeroportin.

Kemi themeluar Komisionin e Posaçëm për parandalimin e infeksionit të virusit Korona, me mua si udhëheqës, me dy zëvendëskryeministrat, shtatë ministra e dymbëdhjetë profesionistë e ekspertë të fushës. Këtij Komisioni i shtohen edhe shtatë anëtarë të tjerë, prej tyre një ministër dhe tre profesionistë, më vonë,

Kemi bërë shpërndarjen e materialeve të domosdoshme nëpër qendrat mjekësore në të gjitha komunat, përgatitjen e hapësirave në rast nevoje për izolim, komunikim me mediat e publikun për masat e hapat që i kemi ndërmarrë,

Kemi shpallur emergjencën për shëndetin publik.

Kemi ndaluar fluturimet në vendin tonë për joshtetasit e Kosovës, dhe Qendrën e Studentëve në Prishtinë e kemi caktuar si hapësirë karantine.

Kemi hequr tarifën për importin e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina deri më 1 prill 2020. Kemi thënë që Qeveria do të nxjerrë vendimin për të hequr në tërësi tarifën dhe të zëvendësohet me masën e reciprocitetit, ashtu siç jemi zotuar në fushatë, ashtu siç e kemi pasur në marrëveshjen e koalicionit qeverisës, ashtu siç e kemi edhe në programin qeverisës 2020-2023.

Nga dje e kemi ndaluar qarkullimin e qytetarëve dhe automjeteve në intervalin kohor prej orës 10:00-16:00 dhe prej orës 20:00-06:00.

Në rrugë, gjatë kohës së lejuar ecjet të mos bëhen në më shumë se dy persona dhe të mbajnë distancën me të tjerët prej 2 metrave.

Kemi ndaluar edhe tubimet publike e private në hapësirat e hapura e të mbyllura vetëm në rast se duhet të mblidhet patjetër për të luftuar pandeminë COVID 19.

Kemi bërë dhurimin e dy pensioneve, siç kemi premtuar, të asistencës sociale prej datës 24 mars, pra prej ditës së djeshme, nga e marta. /Telegrafi/

 

 

 

 

Exit mobile version