Nga 21 ministri që ishin gjatë qeverisjes së Ramush Haradinajt, qeveria e re e krijuar nga partnerët e koalicionit Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, nën drejtimin e Albin Kurtit do t’i ketë 15 ministri.
Qeveria Kurti, përveç 15 ministrive do t’i ketë dy zëvendëskryeministra dhe 33 zëvendësministra, ndërsa, Qeveria Haradinaj kishte pesë zëvendëskryeministra dhe rreth 90 zëvendësministra, shkruan Telegrafi.
Renditja e ministrive në Qeverinë Haradinaj ishte kjo: Ministria për Kthim dhe Komunitete, Ministria e Diasporës dhe Investime Strategjike, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, Ministria e Financave, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministria e Integrimit Evropian, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.
Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Administratës Publike dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal, ishin po ashtu ministritë e kaluara.
Ndërsa, në marrëveshjen e re për bashkëqeverisje është bërë ristrukturimi i disa ministrive ekzistuese në ato të reja, shkruan Telegrafi.
Tash e tutje, Ministria e Diasporës do të jetë pjesë e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë do të jetë pjesë e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe ajo Tregtisë dhe Industrisë do të jetë pjesë e një ministrie të përbashkët që është Ministria e Ekonomisë, Tregtisë, Industrisë, Punësimit, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike.
Po ashtu, Ministria e Administratës Publike do të jetë pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërsa Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do t’i bashkohet asaj të Infrastrukturës.
Ministritë që nuk janë prekur nga ky ristrukturim janë Ministria e Integrimit Evropian, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministria e Kthimit dhe Komuniteteve dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal. /Telegrafi/