Qeveria e Kosovës kundërshtoi grevën e organizuar nga Sindikata e Arsimit, duke kërkuar që të mos të ndërpritet procesi mësimor.
Kreu i Qeverisë, Isa Mustafa tha se Qeveria ka bërë më shumë sesa që e ka potencialin buxhetor. Ai tha se askush nuk ka të drejtë që t’i lërë fëmijët pa mësim.
“Nuk ka asnjë arsye që të mos mbahet mësimi. Shkollat ekzistojnë që të sigurohet mësimi për fëmijët, jo që dikush të merr pagë dhe të mos punojë e të mos mbajë mësim. Duhet të gjithë ne të kemi përgjegjësi për këtë. Duhet të kenë përgjegjësi edhe punonjësit e arsimit, edhe organizatorët e grevës. Ne si Qeveri nuk do të përkrahim sjellje të tilla dhe vendime të tilla dhe s’do të përkrahim individë në sindikata të tilla”, tha Mustafa.
Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami u bëri thirrje mësimdhënësve që mos të humbin kohë, duke pasur parasysh që është afruar fundi i vitit shkollor. Ai njoftoi se Ministria e Arsimit në bashkëpunim me ministrinë e Financave dhe atë të Administratës Publike i kanë bërë përgatitjet teknike për pagesën e përvojës së punës, e ku përfshihen jo vetëm mësimdhënësit por edhe stafi administrativ.
“Ata që nga nesër do t’i marrin pagat me pagesën e përvojës së punës. Unë uroj që sindikatat krahas përkujdesjes për pozitën e tyre materiale, të kujdesen edhe për pozitën e materiale të nxënësve tanë”, tha Bajrami, raporton RTK.
Edhe ministri i Financave, Avdullah Hoti tha se listat e pagave me pagesën e përvojës tashmë janë shpërndarë nëpër komuna, ndërsa shtoi se tani në këto lista përfshihen 24 mijë arsimtar me rritje të plotë prej 0.5 për qind.
Ndërkohë, Qeveria miratoi projekt-kornizën afatmesme të shpenzimeve për vitet 2016-2018, të cilën e prezantoi ministri i Financave Avdullah Hoti.“Të hyrat e përgjithshme buxhetore deri në fund të vitit 2018 pritet të arrijnë në shumën prej 1 miliard e 625 milionë që është 20.8 për qind më të larta sesa realizimi që kemi pasur në vitin 2014. Shpenzimet e përgjithshme pritet të arrijnë në 1 miliard e 757 milionë që janë rreth 19 për qind më të larta sesa në vitin 2014”, tha Hoti.
Ministri Hoti prezantoi edhe raportin vjetor të funksionimit të sistemit të kontrollit të brendshëm të financave publike në sektorin publik për vitin 2014, raportin tremujor të buxhetit për vitin 2015 dhe programin e borxhit shtetëror për vitin 2016-2018, të cilat morën mbështetjen e Qeverisë.
Kabineti qeveritar ndërkaq aprovoi disa projektligje dhe vendime të tjera, ndërsa mori vendim për vazhdimin e pagesës për Prokurorinë Speciale, sipas kërkesës që ka ardhur nga ky institucion, e që kap shifrën prej 200 mijë euro. /Telegrafi/