Site icon Telegrafi

“Qeveria kundër prokurorisë”, nga opozita i reagojnë ministrave që e akuzuan

Prokuroria Speciale ditëve të fundit ka qenë në shënjestër të ministrave të Qeverisë Kurti, të cilët e kanë kritikuar për mosveprim ndaj denoncimeve që ata po i bëjnë.

Ka qenë e para ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila ka publikuar një video në llogarinë e saj në Facebook, ku ka folur për ish-ministrin Vesel Krasniqi të cilin e ka akuzuar se ka krijuar monopol në fushën e kontrollit të cilësisë së karburanteve në Kosovë.

“Janë bërë më shumë se dy vite, prej kur kemi parandaluar një keqpërdorim multimilionësh dhe kemi dorëzuar kallëzimin penal. Ka kaluar po aq kohë dhe askush nuk është thirrur në përgjegjësi nga institucionet e drejtësisë”, ka shkruar ajo mbi videon e publikuar.

E ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka bërë të ditur se ka marrë vendim për lirimin e të gjitha objekteve nga pronat që janë ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme.

Me anë të një video-adresimi nga Rugova, Peci ka reaguar lidhur me ndërtimin e 25 vilave në Stankaj të Pejës në pronën e Institutit Bujqësor të Kosovës.

Ai ka deklaruar se pavarësisht veprimeve të ndërmarra administrative, pritja për ndërmarrjen e masave nuk është realizuar.

Peci iu ka bërë thirrje mekanizmave që vendimi, të cilin e vlerëson të mbështetur ligjërisht, të implementohet.

“Jam në Stankaj të Komunës së Pejës, vendin në të cilin para një viti kam bërë denoncimin publik për njërin nga rasteve më abuzive dhe më flagrante me pronën shtetërore. Bëhet fjalë për ndërtimin  e 24 vilave në pronën e Institutit Bujqësor të Kosovës me seli në Pejë”.

“Si Ministri, përkundër që kemi marrë të gjitha veprimet administrative, një veprim i tillë nuk është shoqëruar edhe me ndërmarrjen e veprimeve nga instancat e drejtësisë, në këtë rast nga Prokuroria e Shtetit. Si duket, pritja jonë ka qenë e kotë andaj si ministër, sot kam marr vendim për lirimin e të gjitha objekteve nga pronat që janë ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme. Pres nga mekanizmat ekzekutiv dhe instancat shtetërore që ky vendim që ka baza ligjore të implementohet ditëve në vijim”, është shprehur Peci.

Dyshime për punën e Prokurorisë Speciale ka hedhur edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ajo ka folur për një pronë në Vushtrri që sipas saj i takon dikasterit që udhëheqë, por që i është dhënë për 10 vite në shfrytëzim një personi fizik nga ish-ministri i Drejtësisë dhe ish-drejtori i burgjeve.

Haxhiu ka thënë se auditori i brendshëm i ministrisë ka gjetur se kontrata është lidhur pa asnjë bazë ligjore dhe kushtetuese.

“Për çfarë dhe për kë po punon Prokuroria Speciale?”, ka shkruar Haxhiu, duke akuzuar Prokurorinë e Shtetit se ka krijuar precedent të rrezikshëm, meqë nuk e ka konsideruar vepër penale rrënimin e objektit të ish-hotelit Vicianum.

Haxhiu ka thënë se në Prokurori dhe Polici kanë bërë edhe shumë denoncime të tjera, por që nuk është ndërmarrë asnjë veprim.

E ndaj këtyre kritikave që ministrat qeveritarë i kanë bërë Prokurorisë së Shtetit kanë reaguar deputetë dhe zyrtarë të partive opozitare.

Në një postim të shkurtër të bërë në Facebook, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha ka shkruar “Qeveria kundër prokurorisë!”.

E deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se Qeveria Kurti po e cenon rendin kushtetues e demokratik të Kosovës.

“E humbur në mes të skandaleve, sot qeveria paska vendosur ta godet prokurorinë me video propagandizuese. Çka të thuhet për një: Qeveri që po rrezikon rendin demokratik të vendit-ndarjen e pushteteve!; Qeveri që angazhimin dhe energjinë e saj e përdor veç në PROPAGANDË e KRIZA për të mbijetuar; Qeveri që në vend të rezultateve servon KORRUPSION, ARROGANCË e PAAFTËSI për zgjidhje problemesh, Qeveri që nuk ka realizuar as gjysmën e aktiviteteve të parapara.  Në shërbim të kujt është Qeveria Kurti? Në shërbim të qytetarëve e shtetit të Kosovës, JO!”, ka shkruar ajo në Facebook.

Ndërsa, nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se pyetja sot është për kënd punon Qeveria.

“A jetojnë sot mësuesit më mirë se para 3 vitesh? A jetojnë sot infermierët më mirë se para 3 vitesh? A jetojnë sot minatorët më mirë se para 3 vitesh? A jetojnë sot fermerët më mirë se para 3 vitesh?  A jetojnë sot studentët më mirë se para 3 vitesh? Për kënd punon kjo Qeveri që po e shpopullon Kosovën nga profesionistët, që po e  thyen çdo shpresë e po shuan çdo ambicie?”, ka pyetur Çitaku. /Telegrafi/

Exit mobile version