Qeveria e Maqedonisë përmes një kumtese ka reaguar për siç thonë, interpretimet e gabuara të intervistës së kryeministrit Zoran Zaev për agjencinë “Reuters”, në lidhje me propozimet për emrin e ri të Maqedonisë.
“Tregojmë se është keqinterpretuar lajmi i agjencisë për kryeministrin Zaev, ku thuhet se “Maqedonia ka propozuar katër opsione për zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë”. Opinioni në Maqedoni dhe ai në botë, e dinë se ato janë propozime të ndërmjetësit Matthew Nimetz, i cili në emër të Kombeve të Bashkuara ndërmjetëson në bisedimet mes Maqedonisë dhe Greqisë”, thonë nga Qeveria, njofton Telegrafi Maqedoni.
Në kumtesë më tej thuhet se, ato propozime ekzistojnë, por nuk janë dhënë nga pala e Maqedonisë.
Ndërsa sa i përket një pjese të intervistës në të cilën përcillet se Zaev ka thënë se “Maqedonia është e gatshme të bëj ndryshime të vogla në emrin kushtetues”, nga Qeveria mohojnë kategorikisht duke thënë se Zaev nuk ka thënë diçka të tillë në intervistë./Telegrafi/