Telegrafi

“Qeveria insistoi që demarkacioni të jetë kusht për viza” (Video)

Një prej temave më të diskutuara në skenën politike në vend, Demarkacioni me Malin e Zi, për Valdete Bajramin, është bërë një prej kritereve për liberalizim të vizave me insistimin e qeverisë së vendit.

Bajrami, njëherësh nënkryetare e Komisionit për Integrime Evropiane, duke komentuar deklaratat e raportueses për liberalizimin e vizave për Kosovën, Tanja Fajon, Bajrami tha se do të kërkojnë përgjegjësi nga kryeministri Mustafa për këtë kriter, që nuk e ka pasur asnjë nga shtetet e rajonit.

Për Vjosa Osmanin, deputete e LDK-së, çështja e ngritur është plotësisht e arsyeshme, derisa ka kërkuar që të gjendet një zgjidhje që do të mundësonte rishikimin e marrëveshjes, para se të përmbyllet vendimi për liberalizim në Këshill dhe Parlament të BE-së.

Megjithatë, Ministria e Integrimit Evropian, në një përgjigje për KTV-në shprehet se Komisioni Evropian kishte vënë kritere më shumë për Kosovën se për vendet e tjera.

Edhe Demarkacioni me Malin e Zi, si edhe kriteret e tjera, pjesë e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, ishin të panegociueshme.

Tanja Fajon, tani e emëruar si raportuese për liberalizimin e vizave për Kosovën, ka folur për kriterin e demarkacionit, në debatin e parë për liberalizim të vizave, në Komisionin për Liri Qytetare, Drejtësi dhe Punë të Brendshme të Parlamentit Evropian.