Site icon Telegrafi

Qeveria Hoti premton 400 milionë euro për rimëkëmbjen ekonomike, prezantohet sot programi qeverisës i LDK-së

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi ka thënë se synojnë që të miratojnë programin qeverisës në mbledhjet e para të Qeverisë Hoti, që LDK-ja është duke tentuar ta krijoj, pjesë kryesore e të cilit është ndihma financiare për rimëkëmbjen ekonomike që fillimisht synojnë t’i shpërndajnë 400 milionë deri në vjeshtë, pastaj deri në 1 miliardë euro më vonë.

Ai këto komente i bëri para takimit që do të kenë deputetët e LDK-së me mandatarin për kryeministër, Avdullah Hotin i cili do të prezantojë programin qeverisës.

Abrashi ka thënë se programi i tyre ka dy shtylla, teksa tha se ky program është në përputhje me interesat e qytetarëve.

“Ne nuk kemi humbur kohë aspak, mandatari për kryeministër ka pas takime me partnerët e koalicionit dhe kanë përfunduar programin deri në detajet më të fundit, prandaj ne synojmë që në mbledhjet e para të Qeverisë(Hoti), që të mos them në mbledhjen e parë të miratojmë programin qeverisës, i cili është në përputhje me interesat e plota të vendit që së paku ka dy shtylla. E para ka të bëj me menaxhimin e pandemisë edhe synojmë që të përfshijmë në programin tonë të gjitha protokollet posaçërisht protokollet e Komisionit Evropian dhe të jemi në hap me ato protokolle që i miraton ky komision për shtetet anëtare, të gjitha ato që merren vendim atje të bëhen edhe në Kosovë, edhe me lëvizjen e lirë dhe ndihmën për bizneset, ndërkaq shtylla e dytë ka të bëj me rimëkëmbjen ekonomike”, tha Abrashi.

Ndryshe, Abrashi theksoi se deri në vjeshtë do të shpërndajnë së paku 400 milionë euro, duke vazhduar me pjesën tjetër të përmendura nga mandatari për kryeministër, Avdullah Hoti.

“Jemi dëshmitar që çdo ditë e humbur me Qeverinë Kurti po shkakton dëme të mëdha me bizneset e vogla, posaçërisht për bizneset e vogla dhe synojmë të kemi edhe një pako gjeneroze për ekonominë, ku synojmë që deri në vjeshtën e këtij viti të shpërndajmë së paku 400 milionë euro dhe pastaj të kalojmë edhe te 1 miliardëshi të cilin e ka përmendur edhe kryeministri Hoti”, tha Abrashi.

Abrashi tha se ky nuk është presion për Gjykatën Kushtetuese dhe nuk ka të bëjë me vendimet e kësaj Gjykate, pasi sipas tij ata nuk duan vetëm të humbin kohë. /Telegrafi.

Exit mobile version