Së fundmi, disa politikanë gjermanë kanë bërë thirrje për ndalimin e fluturimeve mbi Ukrainë.
Por, kërkesa është hedhur poshtë nga një zëdhënës i qeverisë gjermane i cili theksoi se Gjermania ende nuk e ka ndryshuar qëndrimin që kur e ka refuzuar një thirrje të tillë në nëntor të vitit të kaluar.
“Ne e refuzuam atë në atë kohë dhe mendoj se e njëjta përgjigje vlen edhe për kërkesën e tanishme”, tha zëdhënësi.
Ndryshe, NATO hodhi poshtë kërkesën e Ukrainës për të ndaluar fluturimet mbi territorin e saj gjatë vitit 2022, disa ditë pasi filloi pushtimi rus në shkallë të plotë.
Gjatë asaj kohe, Sekretari i Përgjithshëm i aleancës më të madhe ushtarake, Jens Stoltenberg, e arsyetoi vendimin duke theksuar se “NATO nuk është pjesë e konfliktit”.
“Ne kemi përgjegjësi për të parandaluar që kjo luftë të përshkallëzohet përtej Ukrainës”, tha Stoltenberg.
Gjithashtu, sipas zyrtarëve evropianë, krijimi i një zone ku ndalohen fluturimet do të përbënte kërcënim për konfrontim të drejtpërdrejtë midis Rusisë dhe NATO-s.
Mirëpo, bëhet e ditur se anëtarët e aleancës mund ta trajtojnë ndalimin e fluturimeve si çështje shqetësuese gjatë takimeve të tyre, në bazë të nenit 4 të traktatit themelues të saj. /Telegrafi/