Telegrafi

Qeveria finlandeze po planifikon të propozojë anëtarësimin e vendit në NATO të dielën

Qeveria finlandeze po planifikon të dielën të propozojë anëtarësimin e vendit në NATO.

Kështu u ka thënë gazetarëve, ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto, në një konferencë për media në Helsinki të enjten.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, propozimi më pas do të hidhet në një votim parlamentar me një seancë plenare të planifikuar për të hënën në mëngjes.

Dhe Haavisto vuri në dukje se është “e rëndësishme të kalohet përmes një debati të duhur parlamentar”.

Ministri i Jashtëm finlandez ka bërë të ditur se agresioni rus në Ukrainë kishte “ndryshuar shumë peizazhin e sigurisë në Evropë”, duke shtuar se ai gjithashtu ndryshoi opinionin publik për anëtarësimin në NATO.

“Kështu, për herë të parë ndonjëherë shumica e finlandezëve mbështesin anëtarësimin në NATO”, tha ai.

Haavisto u tha gazetarëve se vendi i tij është në kontakt të ngushtë me Ministrinë e Jashtme suedeze pasi Suedia gjithashtu konsideron anëtarësimin në NATO.

Ai shtoi se është në bisedime me partnerët evropianë dhe Britaninë e Madhe pasi vendet aplikuese nuk mbulohen nga garancitë e sigurisë. /Telegrafi/