Qeveria e Republikës së Kosovës, ka vlerësuar debatin e zhvilluar këtë të mërkurë për demarkacionin me Malin e Zi, ndërsa shton se gjithçka është bërë në “përputhje me aktet kushtetuese e ligjore të Kosovës”, për çka do të vazhdojë me procedimin e kësaj çështjeje.
“Qeveria e Kosovës, pas dëgjimit të çdo argumenti dhe fjale në këtë debat, vlerëson se në të ka dominuar argumentimi i cili konfirmon se procesi i shënjimit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi është bërë në përputhje me aktet kushtetuese e ligjore të Kosovës, si dhe në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira që kanë të bëjnë me kriteret dhe aspektet tjera të realizimit të këtij procesi.
Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh mirënjohje të posaçme për qëndrimet shumë të vlefshme të ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përfaqësuesit të BE-së.
Në përputhje me qëndrimet racionale dominuese në këtë debat, Qeveria e Kosovës, do të vazhdojë angazhimet e saj në procedimin e kësaj çështje më tutje”, thuhet në komunikatën e Qeverisë. /Telegrafi/