Telegrafi

Qeveria e RMV-së: Të gjithë shtetasit e regjistruar të vendit tonë janë evakuuar nga Izraeli

Me fluturimin çarter të organizuar dhe paguar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në linjën Tel Aviv – Shkup, gjatë ditës së djeshme, të gjithë qytetarët e mbetur të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilët kërkuan ndihmë për t’u larguar nga Izraeli, u evakuuan me sukses dhe u kthyen në vend – njoftuan sot nga Qeveria e Maqedonisë.

Shpenzimet financiare për transportin e qytetarëve të evakuuar, sipas vendimit të Qeverisë, mbulohen nga rezervat e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Fluturimi çarter falas për të gjithë pasagjerët që udhëtojnë në linjën Tel Aviv – Shkup është realizuar në bashkëpunim me “Air Serbia”.

Duke pasur parasysh aktivitetet e vazhdueshme luftarake në disa zona në Izrael, siç thonë nga qeveria, gjatë javës së kaluar, përpjekjet e mëparshme për të siguruar një fluturim nga Tel Avivi kanë qenë të pasuksesshme. Kjo sepse siç thuhet, asnjë kompani nga rajoni nuk ka qenë në gjendje të sigurojë një fluturim të besueshëm dhe të sigurt dhe t’i përgjigjet kërkesave të qeverisë.

Ambasada në Tel Aviv ka qenë në kontakt me qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut që nga fillimi i krizës, thonë nga qeveria.