Telegrafi

Qeveria e Republikës së Maqedonisë e miratoi rebalancin

Qeveria e Republikës së Maqedonisë sonte në seancë të saj e miratoi Propozim rebalancin e buxhetit për vitin 2016, i cili menjëherë do të dorëzohet në Kuvendin e RM, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Siç ka arsyetuar ministri i financave, Kiril Minoski në konferencën për shtyp, rebalanci vjen si pasojë e ndryshimit të projeksionit të rritjes së BPV nga 4 në 2,3 për qind.

Me rebalancin të hyrat zvogëlohen për dy për qind ose për tre miliardë denarë, ndërsa shpenzimet për 804 milionë denarë në krahasim me të projektuarën.

Minoski ka theksuar se prirja e arkëtimit të tatimeve dhe kontributeve është pozitiv, ku tek tatimet ka rritje për 6 për qind, ndërsa te kontributet për 5,7 për qind.

Me rebalancin siç ka potencuar ai, nuk rrezikohet pagesa e rrogave, pensioneve dhe transferimeve sociale, ndërsa harxhimet kapitale zvogëlohen, por sërish mbeten në nivel të lartë.

Ai ka shtuar se me rebalancin rritet deficiti nga 3,2 për qind të projektuarat në 3,6 për qind të BPV./Telegrafi/