Telegrafi

Qeveria e Maqedonisë sot mban mbledhje, do të shqyrtojë mundësitë për ndihma për Shqipërinë

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot do të mbajë mbledhjen saj të rregullt të 167-të me më tepër pika në rendin e ditës nga programi i saj i punës.

Si pikë të parë, Qeveria do të shqyrtojë mundësitë për ndihmë për Shqipërinë, e cila është goditur nga disa tërmete, ku ka edhe viktima, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Zv.kryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani, sot shprehu ngushëllime për familjarët e të vdekurve dhe tha se ka biseduar me ministrin e jashtëm të Shqipërisë, për t’i dëgjuar nevojat e tyre për ndihma.

Osmani informoi se një ekip prej 20 shpëtuesve në koordinim me Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim janë përgatitur për të shkuar në ndihmë tek vendet e prekura nga tërmetet.

Ndryshe, autoritetet në Shqipëri kanë konfirmuar se deri tani shtatë persona kanë humbur jetën nga tërmetet e orëve të para të mëngjesit të ditës së sotme./Telegrafi/

Lexo po ashtu LIVE – E gjitha që po ndodh në Shqipëri pas tërmeteve të fuqishme në Durrës: Raportohet për viktima, të lënduar dhe dëme materiale