Qeveria e Maqedonisë ka marrë vendim që pensionet në muajin dhjetor të rriten për 670 denarë (11 euro) dhe ky vendim vjen vetëm dhjetë ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Pensionistët në Maqedoni gëzojnë një varg privilegjesh, të cilat mbulohen me mjete nga buxheti i shtetit, siç është shfrytëzimi i transportit publik, pushime në banjat termike nga një javë të plotë, udhëtimi me tren pa pagesë në të gjitha destinacionet brenda shtetit, e kështu me radhë.
Aktualisht, në Maqedoni janë të regjistruar mbi 300 mijë shfrytëzues të pensioneve.
Analisti politik, Nikolla Spasov, konsideron se pjesa më e madhe e pensionistëve paraqesin pjesë aktive të elektoratit, andaj edhe janë në shënjestër të pushtetit për t`i joshur si votues me shtimin e privilegjeve, qoftë me rritjen e pensioneve, pavarësisht mundësive që ka arka e shtetit.
“Në Maqedoni ka mbi 300 mijë pensionistë, pjesa më e madhe e të cilëve dalin për të votuar ditën e zgjedhjeve dhe me votën e tyre ata paraqesin një nga faktorët kryesor se cili opsion politik do të dalë fitues në zgjedhje. Kjo është dhe arsyeja pse pushteti i kushton shumë kujdes pikërisht kësaj kategorie”.
“Veçanërisht nëse merret parasysh fakti se gjatë viteve të fundit një numër i madh i të rinjve është larguar nga vendi, që në formë plotësuese shton peshën e votave të elektoratit më të moshuar”, thekson Nilolla Spasov.
Sipas tij, në realitet, mirëqenia sociale e personave të moshuar në Maqedoni, megjithatë, mbetet ende larg standardeve evropiane.
Si problem, politologu maqedonas e fokuson faktin se me pensionet edhe ashtu të vogla, një pjesë e pensionistëve detyrohen të mbajnë familjet e fëmijëve të papunë, por ata votojnë për pushtetin nga frika se mos e humbasin pensionin.
Ndërkaq, afaristët thonë se shteti dëmton ekonominë e vendit në favor të vjeljes së votave, duke rritur pensionet në kohën ku edhe ashtu pjesa më e madhe e pensioneve mbulohen përmes huamarrjes, si rrjedhojë e politikave të gabuara të pushtetit sa i përket stabilitetit të sistemit pensional.
“Mbase nuk mund të themi se në një afat më të shkurtër vendimi për rritjen e pensioneve, rrogave në administratë dhe ndihmat sociale mund të sjellin një kolaps në buxhet. Por, politikat e qeverisë, të cila janë të fokusuara në rritjen e pensioneve, pagave dhe ndihmave sociale, duke thithur pjesën më të madhe të buxhetit të shtetit, ne si Odë Ekonomike në vazhdimësi e kemi theksuar se nuk është në favor të zhvillimit të ekonomisë dhe nuk është e qëndrueshme për arkën e shtetit”.
“Jemi dëshmitarë se pjesa më madhe e mjeteve për paratë e pensioneve mbulohet nga huamarrja dhe kjo do të ketë kosto të lartë në planin afatmesëm dhe atë afatgjatë”,thotë për Radion Evropa e Lirë, Fatmir Bytyqi, drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.
Ndryshe, ministri i Financave në Maqedoni, Kiril Minoski, gjatë takimit me përfaqësues të Shoqatës së Pensionistëve, theksoi se prej muajit dhjetor do të fillojë pagesa e pensioneve, të cilat janë rritur për 5 për qind krahasuar me vlerën mesatare të pensioneve, që arrin në 13 mijë denarë, përkatësisht 210 euro.
Ndërkohë, partitë në opozitë thonë se qeveria lavdërohet me rritjen e pensioneve dhe standardin jetësor për më të moshuarit, përderisa, siç kanë potencuar, kjo e drejtë u ka takuar pensionistëve me ligj që në janar, por pushteti qëllimisht e ka bërë këtë shtyerje, që të përkojë me kohën e zgjedhjeve./Telegrafi/