Site icon Telegrafi

Qeveria e Maqedonisë i pranon kërkesat e “Marshit për ajër të pastër”, organizatorët i fton në takim

Qeveria e Maqedonisë së Veriut i ka pranuar shtatë kërkesat e para të organizatorëve të “Marshit për ajër të pastër”, protestë që u realizua të premten e kaluar.

Në njoftimin e qeverisë, thuhet se pranimi i këtyre kërkesave do të jetë shkak për realizimin e një takimi, ku siç thonë, do t’i bashkonin përpjekjet e institucioneve dhe sektorit civil në raport me kujdesin për shëndetin e njerëzve dhe mjedisit jetësor, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Shtatë kërkesat urgjente, të cilat i dorëzuan protestuesit e “Marshit për ajër të pastër”, dhe të cilat së fundmi Qeveria, tha se i pranon janë: Dekret për miratim urgjent të PDU-së për Vardarishten, Prokuroria Publike të hapë hetime për OHIS-in dhe djegien e kabllove në Shkup, të miratohen ndryshimet e Ligjit për mjedis jetësor, me të cilat identifikohet dhe rregullohet veprimi me rajonet e kontaminuara, t’i merret koncesioni “Euromaksit” për minierën Illovica-Shtuka dhe të merret koncesioni i skaduar për eksploatimin e minierës Pllavica.

Po ashtu nga Qeveria kanë bërë të ditur se i pranojnë kërkesat për të ndaluar procedurat për harmonizim të ligjeve nga sfera mbrojtjes së shëndetit të njerëzve, mbrojtjes së pasurive natyrore, mjedisit jetësor, trashëgimisë kulturore, mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore, higjienës komunale me Ligjin për kundërvajtje dhe të miratohet aplikacion për shpalljen e Liqenit të Ohrit dhe Studençishko Bllato, si banim i rëndësisë ndërkombëtare deri te sekretariati i Ramsarit.

Lidhur me Dekretin për miratim urgjent të Planit Detajor Urbanistik SI O9, Gazi Babë për Vardarishte, Qeveria informon se ai për momentin është në harmonizim në Bashkinë e Shkupit dhe pritet që javën e ardhshme të miratohen në Këshillin e Bashkinë e Shkupit.

Për kërkesën e hapjes së hetimeve për OHIS-in, Qeveria thekson se i vendos në dispozicion të gjitha dëshmitë materiale, të cilat janë mbledhur nga institucionet me të cilat udhëheq dhe i bën thirrje Prokurorisë Publike, ta dëgjojë zërin e qytetarëve dhe të hapë procedurë për OHIS-in dhe djegien e kabllove në Shkup./Telegrafi/

Exit mobile version