Nëpërmjet një kumtese të lëshuar nga shërbimi qeveritar për shtyp reagojnë ndaj fjalimit të kryetarit Gjorge Ivanov duke thënë se “kryetari Ivanov përsëri në fjalimin e tij para opinionit të Maqedonisë, në Kuvendin e Maqedonisë, deklaroi se mbetet në përcaktimin e tij dhe vazhdon t’i ndajë qytetarët”.
“Me këtë fjalim edhe një herë u konfirmua se në vend se ta lexojë marrëveshjen e Prespës, dhe t’i mbështes kufijtë për identitetin dhe prosperitetin që i ofron kjo marrëveshje, ai vazhdon të shpërndajë të pavërteta dhe urrejtje, duke u përpjekur që me këtë të ndalojë përparimin e qytetarëve të Maqedonisë”, thonë nga shërbimi qeveritar për shtyp, njofton Telegrafi Maqedoni.
Sipas tyre, Ivanov nuk beson në vendin dhe nuk e beson popullin e tij dhe për ta fshehur këtë duhet të shpik se është viktimë.
“Ivanov po shkon. Ai nuk arriti dhe nuk do të arrijë të ndalojë integrimin, përparimin dhe miqësitë që i ndërton Republika e Maqedonisë”, thonë nga shërbimi qeveritar për shtyp, duke shtuar se Ivanov mund të flasë vetëm për mossuksesin e tij në mandatin e tij dhe se në të gjitha veprimet e tij ka dëshiruar ta ndalojë prosperitetin./Telegrafi/