Ministrat e Qeverisë së Kosovës kanë kohë deri nesër (e enjte), që të votojnë për masat e reja anit-COVID, të cilat janë bërë publike sot (e mërkurë) nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Për arsye se votimi për këto masa është duke u bërë online, ministrat e Qeverisë Hoti kanë kohë deri nesër për t’i votuar këto masa.
Kështu ka bërë të ditur në një prononcim për Telegrafin, drejtoresha për informim në Zyrën e Kryeministrit, Antigona Baxhaku.
“Votimi është duke u bërë online dhe ministrat kanë kohë deri nesër që të votojnë për këto masa të cilat janë prezantuar sot nga kryeministri Hoti. Ne do të ju njoftojmë nesër për vendimin, pasi të nënshkruhet nga kryeministri, pasi gjithçka është duke u bërë online”, tha Baxhaku.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka prezantuar masat e reja kufizuese që do të ndërmerren për shkak të rritjes së rasteve me coronavirus.
Hoti ka thënë se komunat janë ndarë në tri grupe, transmeton Telegrafi.
“Kemi ndërmarrë masa që vlejnë në tërë territorin e Kosovës, duhet të kemi kontrolle në kufi, hyrje dhe dalje. Kemi vendos që Arsimi i lartë të kalojë plotësisht online, ndërsa parauniveristar vlen manuali që e kemi bërë më herët. Kemi vendosur që të kthehen ekipet kufitare që të bënë matjen e temperaturës në kufi. Të kthehen shtabet emergjente në komuna. Kemi rregulluar funksionimin për sektorin e ekonomisë në gjithë Kosovën. Lejohet sektori i bujqësisë, transporti, prodhimi. Këto janë masa për tërë territorin”, tha ai.
Hoti tregoi se cilat rregulla do të vlejnë për komuna.
“Grupi i parë, komunat me rrezik të ulët, kemi lejuar operatorët ekonomik të punojnë nga ora 05:00 deri në 20:00, kemi rregulluar transportin publik. Kemi rregulluar edhe veprimtarinë e qendrave tregtare deri në ora 20:00, pastaj lejohet opsioni (merr me vete). Grupi i dytë me rrezik të mesëm: punojnë nga ora 05:00 deri në 18:00, gastronomia po ashtu deri në orën 18:00. Është rregulluar po ashtu transporti. Qendrat tregtare punojnë deri në ora 18:00. Grupi i tretë me shtatë komuna, nga ora 19:00 mbyllet çdo aktivitet dhe do të ketë orë policorë”, tha ai.
Zona e kuqe – rrezik i lartë
Pas orës 19:00 mbyllet çdo aktivitet ekonomik dhe vendoset kufizim i plotë i lëvizjes së qytetarëve, por edhe do të ketë orë policore dhe ndalohen hyrjet daljet në këto komuna deri në ora 05:00.
Komunat që hyjnë në kategori: Prishtina, Podujeva, Obiliqi, Fushë Kosova, Peja, Gjakova, Ferizaj, Shtime, Gjilan, Mitrovicë e Jugut.
Zona e verdhë – rrezik mesatar
Masat: Operatorët ekonomikë lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 18:00, pas orës 18:00 punojnë me shërbim “merr me vete” dhe “porosi me dërgesë”.
Komunat që hyjnë në këtë kategori: Vushtrri, Klinë, Drenas, Deçan, Prizren, Shtërpcë, Suharekë, Kaçanik, Viti, Kamenicë, Novobërdë, Mitrovicë e Veriut, Hani i Elezit, Mamushë, Graçanicë, Ranillug, Partesh, Kllokot, Lipjan, Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok.
Zona e gjelbër – rrezik i ulët
Masat: Operatorët ekonomikë do të lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 20:00, pas kësaj ore vetëm shërbimi “merr me vete” dhe ai “porosi me dërgesë”.
Transporti publik do të lejohet të punojë deri në 50 për qind të kapaciteteve.
Komunat që hyjnë në kategori: Istog, Skenderaj, Dragash, Malishevë, Rahovec, Junik. /Telegrafi/