Site icon Telegrafi

Qeveria e Kosovës miraton tri projektligje që lidhen me zhvillimin ekonomik

Qeveria e Kosovë ka zhvilluar mbledhjen e 30-tën me radhë, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar pesë projektligje, gjashtë vendime, një koncept dokument si dhe Rishikimin e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve 2021-2023.

Projektligji për të Drejtën Ndërkombëtare Private, Projektligji për ratifikimin e kontratës financiare ndërmjet Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Realizimin e projektit për impiantin e trajtimit të ujërave të zeza në Gjilan dhe Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për likuiditet të urgjencës sa infrastrukturës vitale, ndërmjet Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, janë tri projektligjet e miratuara nga kabineti qeveritar.

Po ashtu, janë marr dy vendime për ndarje të mjeteve financiare.

111 mijë e 801 euro janë ndarë për realizimin projektit “Softueri për menaxhimin e proceseve të auditimit në Zyrën Kombëtare të Auditimit”, dhe 230 mijë euro janë ndarë për sigurimin e procesit të deratizimit, dezinfektimit dhe dezinsektimit të ndërtesave qeveritare që menaxhohen nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Lexo po ashtu Përplasje në Qeveri për Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve të Rishikuar 2021-2023

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë është miratuar edhe vendimi për aprovimin e Koncept-dokumentit për skemën e ndihmës sociale në Kosovë.

Qeveria ka diskutuar dhe në fund ka aprovuar Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve të Rishikuar për vitet 2021-2023. Rishikimi i Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve është bërë me qëllim të reflektimit nga situata e krijuar nga pandemia e COVID-19 dhe ndikimeve që kjo situatë ka pasur ne treguesit kryesor të aktiviteteve ekonomike në vend. Në dokumentin e rishikuar thuhet se treguesit kryesorë ekonomikë gjatë muajve të fundit të viti 2020 ndryshojnë dukshëm në krahasim me periudhën gjatë përgatitjes së Kornizës aktuale të shpenzimeve afatmesme. /Telegrafi/

Exit mobile version