Qeveria e Kosovës ka përshëndetur raportin e ekspertëve ndërkombëtarë për demarkacionin.
Përmes një komunikate, Qeveria thekson se është e kënaqur me faktin se ekspertët e këtij Komisioni, nuk kanë gjetur shkelje në demarkacion.
“Ne si Qeveri e Republikës së Kosovës qysh në fillim kemi përshëndetur iniciativën e Presidentes z. Atifete Jahjaga për krijimin e ‘Komisionit për Demarkacion’ i cili do të vlerësoj gjithë procesin e shënimit të kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.
E kemi bërë këtë të vetëdijshëm se kështu po i marrim parasysh dhe nuk po i anashkalojmë shqetësimet e ngritura rreth këtij procesi, gjithsesi të ndjeshëm.
Gjithashtu kemi vlerësuar se ky Komision, konkretisht ekspertët e tij, kanë mundësi dhe kushte për të bërë një punë të mirë profesionale dhe hulumtuese në këtë drejtim, qoftë duke biseduar me të gjithë akterët politik dhe institucional, qoftë duke shqyrtuar dokumentacionin e nevojshëm, qoftë duke zhvilluar vizita në terren.
Thënë përmbledhtazi ne jemi të kënaqur me faktin se ekspertët e këtij Komisioni, nuk kanë gjetur shkelje në demarkacion. Kështu ky Komision rikonfirmon atë që është konfirmuar edhe më herët se, me shënimin e vijës kufitare, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi, Kosova, as nuk ka humbur as nuk ka falur tokë.
Qeveria përshëndet gjithashtu gjetjet e ‘Komisionit për Demarkacion’ sepse ajo duke qenë edhe në përputhje me përfundimet e më hershme të Departamentit të Shtetit Amerikan heq të gjitha dilemat rreth kësaj çështje.
Vlerësojmë se kjo është një arritje e qëndrueshme në drejtim të plotësimit të një kushti shumë të rëndësishëm për liberalizimin e vizave dhe si e tillë do të paraqet një hap të rëndësishëm e kualitativ në rrugëtimin tonë drejtë integrimeve evropiane”, thuhet në njoftim.