Qeveria e Republikës së Kosovës planifikon t’ua rrisë barrën financiare pronarëve të bizneseve nëpërmjet pakos së ligjeve, të prezantuara si reformë fiskale.
Në Projektligjin për tatimin në të ardhurat personale Ekzekutivi e ka rikthyer tatimin në dividend, të cilin e konsideron si të ardhur personale. Personat që marrin dividend mbi 5.000 euro brenda një viti do të obligohen që t’i paguajnë 10 për qind shtetit në emër të tatimit në të ardhurat personale, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në nenin 3 të Projektligjit për të ardhurat personale është përcaktuar se tatimpagues janë personat fizikë rezidentë dhe jorezidentë, ndërmarrja personale afariste, ortakëritë dhe shoqëritë, të cilët pranojnë ose krijojnë të ardhura bruto të përshkruara në nenin 7 të këtij Ligji gjatë periudhës tatimore.
E në nenin 7 në mesin e shumë të hyrave që do ta tatimohen është edhe dividendi. Për dividendët deri në 5 mijë e 400 euro do të paguhet një normë fikse prej 273 eurosh. Ndërsa, nëse dividendi e tejkalon këtë shumë atëherë duhet të paguhen 273 euro, si dhe 10 për qind për shumën që e tejkalon vlerën prej 5 mijë e 400 eurosh. /Telegrafi/