Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës po i mungon një dinamikë për të përshpejtuar çështjet që lidhen me zhvillimin ekonomik të vendit, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike në Prishtinë.
Në seancat parlamentare, sipas tyre, po zhvillohen debate dhe akuza të ndërsjella ndërmjet deputetëve të partive në pushtet dhe opozitës, derisa çështje të rëndësishme ekonomike po mbesin të pa shqyrtuara.
Eksperti i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se problemi i zhvillimit ekonomik në Kosovë, fatkeqësisht është i ndërlidhur me vullnetin dhe gatishmërinë politike për eliminimin e barrierave që ndikojnë në zhvillimin ekonomik.
“Aktualisht nuk ka dinamikë të qeverisë dhe kuvendit. Nuk ka konsensus, nuk ka pajtueshmëri të tërë spektrit politik në Kosovë që të jetë i fokusuar në përshpejtimin e procedurave që këto çështje të ecin më shpejtë”.
“Jemi dëshmitarë të debateve të kota që zhvillohen në parlament dhe përplasjeve që marrin kohë dhe zhvendosin përqëndrimin e punës së qeverisë dhe të Kuvendit nga çështjet që janë esenciale për qytetarët dhe Kosovën në përgjithësi”, thekson Rexhepi.
Kosova vazhdimisht po kritikohet edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë për një zhvillim të pamjaftueshëm ekonomik.
Drejtori ekzekutiv i Institutit për Hulumtime të Avancuara, Agron Demi, thekson se Kosovës i duhet një politikë e mirë dhe sundim i ligjit për t’i hapur rrugë zhvillimit ekonomik.
Sipas tij, janë politikbërësit ata që kanë ndikuar që Kosova të shënojë ngecje në zhvillimin ekonomik.
“Ajo çka është evidente është se duke pasur një politikë të dobët, duke pasur politikanë të korruptuar, duke pasur gjykata që zvarritin lëndët që kanë të bëjnë me konteste gjyqësore të bizneseve të ndryshme, ne e kemi pamundësuar zhvillimin ekonomik”, shton ai.
Zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të reja të punës, ishin paraqitur si prioritet në programin e Qeverisë së Kosovës.
Për një zhvillim më të hovshëm ekonomik, autoritetet në Kosovë kanë propozuar edhe ndryshimin e tri projektligjeve, siç është ai për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, Ligji mbi të ardhurat personale dhe Ligji mbi të ardhurat në koorporata.
Megjithatë, ende deri më tani nuk ka pasur diçka konkrete në hyrjen në fuqi të vendimeve të cilat do të ndihmonin zhvillimin ekonomik të vendit.
Eksperti i ekonomisë Ibrahim Rexhepi, thekson se në Kosovë është duke ndodhur një zhvillim ekonomik, por që është i nxitur prej disa faktorëve, siç janë investimet publike e të cilat nuk konsiderohen si të qëndrueshme.
“Nëse kemi parasysh programin qeveritar, atëherë aty ka disa gjëra të cilat mund të ofrojnë mundësinë dhe shpresën për një rritje më të madhe ekonomike. Por, që të gjitha këto kërkojnë një ndryshim rrënjësor të spektrit ligjor që aktualisht e ka Kosova, e të cilat janë të ndërlidhura me punën në qeveri dhe Kuvend”, thekson Rexhepi.
Ndryshe, ekspertët e ekonomisë konsiderojnë se nëse tani fillohet me reformat ekonomike që janë duke u proklamuar nga Qeveria, Kosova në vitin 2016 mund të shënojë rritje ekonomike deri në 5 për qind.
Rritja ekonomike në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare, gjatë viteve të fundit nuk ka qenë më shumë se 3 për qind. /Rel/Telegrafi/