Site icon Telegrafi

Qeveria dhe GIZ me projekt prej 2.4 milionë euro për sektorin privat

Një projekt mes Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe GIZ-it gjerman i cili do të kushtojë 2.4 milionë euro është miratuar sot nga anëtarët e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi.

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, tha se ky projekt ka për qëllim përkrahjen e sektorëve privat.

“Marrëveshja është bashkëfinancim dhe ka për synim ta përkrahë sektorin privat në Kosovë. Ne këto mjete të cilat në Qeveri i kemi marrë, i kemi kry të gjitha procedurat, do t’i vihen në dispozicion GIZ-it, ku të gjitha procedurat e disporsimit do t’i kryej GIZ. Ky ka qenë edhe synimi ynë që t’i japim kredibilitet procesit të tillë për ndarjen e mjeteve të tilla. Marrëveshja është në kuadër të programit CTP. Buxhetin ne si Ministri e kemi të planifikuar për këtë projekt, ajo çka është e rëndësishme është se 2.4 milionë euro është krejt projekti. 1.2 milionë euro i kemi ndarë vetëm ne si Ministri, 1.2 milionë euro i ndan GIZ”, tha Beqaj.

Ai sqaroi se projekti është tre vjeçar, ku do të përfshijë katër fusha.

“Për inovacionin me ndërmarrje të vogla janë paraparë 800 mijë euro për tri vite. Për biznese të reja janë në tre sektor në teknologjinë, prodhim dhe bujqësi janë 420 mijë, për promovim të sektorëve që kanë potencial për eksport parashihen 600 mijë dhe asociacionet e bizneseve të udhëhequra nga gratë janë të parapame për 300 euro”, tha Beqaj.

Deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu, ka mbështetur këtë projekt, duke e quajtur serioz meqenëse edhe është planifikuar buxheti për të.

Ministri i Inovacionit Besim Beqaj, ka përmendur edhe kampin ushtarak në Prizren, ku siç tha ai, ky kamp nuk do të jetë më aty dhe i njëjti do të shndërrohet në park gjermano-kosovar, i cili do të shërbejë për inovacion dhe trajnime. /KP /Telegrafi/

Exit mobile version